Një 67-vjeçare i ka dhënë jetë fëmijës së saj në një provincë të Kinës duke u bërë nëna më e vjetër në këtë shtet. Këtë të premte, zonja Tian, lindi një vajzë në maternitetin Zozhuang, ku kishte punuar si mjeke para se të dilte në pension.
Një zëdhënëse e spitalit ka thënë për CNN se Tian mbeti shtatzënë në mënyrë natyrale, duke shfrytëzuar dijet e saj mjekësore duke aplikuar tek vetja trajtime fertiliteti të mjekësisë tradicionale kineze.
Foshnja erdhi në jetë përmes një operacioni cezarian. ‘Patëm shumë fat duke pasur parasysh se mosha e nënës ishte e madhe dhe kishte disa komplikacione’, u shpreh Liu Ëencheng, mjekia që ndoqi lindjen. Vajza peshonte 2.56 kg kur lindi.
Mjekia konstatoi gjatë operacionit se vezoret e gruas ishin si të një 40-vjeçareje dhe kjo ka luajtur një rol të rëndësishëm në shtatzëninë natyrale. Nëna dhe vajza gëzojnë të dyja shëndet të mirë.
Një dhuratë nga parajsa
Bashkëshorti i Tiang tha se e sapolindura është pagëzuar me emrin Tianci që do të thotë ‘dhuratë nga parajsa’. Çifti ka dy fëmijë të rritur, një djalë dhe një vajzë e disa nipër e mbesa. Mbesa më e madhe mbush 18 vjeç këtë vit.
Fëmijët e tyre nuk ishin dakord me këtë shtatzëni, madje Tian tha se vajza e kishte paralajmëruar se nëse sillte në jetë këtë fëmijë, s’do t’i fliste me gojë. Gjithmonë e më shumë gra në moshë të madhe po përpiqen të kenë fëmijë në kinë që pas tërheqjes së ligjit për një fëmijë në vitin 2016.
Në shtator, një 73-vjeçare nga India solli në jetë dy vajza binjake përmes fertilizimit in vitro.