Aktualitet

52 shërbime të Kadastrës kalojnë online, Lame: Respektojmë Guttenbergun por jemi në epokën e Bill Gates

By vizionc

January 08, 2020

 

Tanimë në platformën e-Albania, 472 shërbime do të aplikohet vetëm online, 52 prej të cilave i përkasin Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

 

Ndërkaq, kreu i kadastrës, Artan Lame nënshkroi sot me dhomën e noterëve, marrëveshjen për shërbimin që do të ofrohet online.

 

Vetë Lame tha se iu deshën disa minuta për të provuar shërbimin online ndaj sigurisht kjo do të kërkojë punë dhe trajnim edhe për noterët.

 

“Kemi hyrë në një epokë që se kthejmë më, Epokën e Guttenbergut e respektojmë por jemi në epokën e Bill Gates, duhet t’i përshtatemi. Doja të thoja edhe që 4 vitet e fundit ka një rritje të përgjegjshmërisë së noterëve në aktet që lëshojnë. Ju e dini, jemi hasur me akte të dyshimta, me noterë që kanë humbur licencën për këto gjëra. Jam i bindur se ky ndryshim i noterëve në vitet e fundit do vazhdojë të thellohet dhe ne jemi gati të japim kontributin tonë. Shpresojmë të shkojmë drejt zhdukjes së kësaj kategorie njerëzish të papërgjegjshëm”, tha Lame ndërsa shtoi se Kadastra është duke bërë trajnime me AKSHI-n.

 

Kreu i Kadastrës shprehu bindjen se brenda janarit do të kalojë edhe ligji për proceset tranzitore sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.