Emisioni “Historia ime” në solli ditën e sotme historinë e 46-vjeçares Milika Toska. Ajo është nënë e 3 fëmijëve dhe në studio ka treguar vështirësitë e saj pas vitit 2005, për shkak se bashkëshorti është i alkoolizuar.
Milika tregoi se u martua me mblesëri kur ishte 26 vjeç. Për shkak se burri i saj ishte jetim me prindër gjallë, fejesa dhe martesa ndodhën shumë shpejt. Prindërit e tij ishin divorcuar kur ai ishte 3 vjeç dhe nëna e kishte braktisur duke e lënë me babain.
Për herë të parë, ajo është njohur me vjehrrën kur lindi fëmijën e dytë, por marrëdhënia e tyre s’ka qenë aspak e mirë, për shkak se ajo ishte e martuar dhe kishte krijuar familje tjetër.
Pjesë nga intervista:
Në çfarë moshe u martove?
Milika Toska: 26 vjeç!
Ishte martesë me dashuri apo?
Milika Toska: Jo, ishte martesë me mblesëri.
Sa kohë ishte njohja?
Milika Toska: Martesa ime ka qenë shumë e shkurtër dhe njohja shumë e shkurtër, brenda dy muajsh fejesë dhe martesë. Sepse burri ngaqë ishte rritur jetim, ishte dhe i vetëm në familje, se është rritur jetim me prindër gjallë. Donte që të kishte një njeri përkrah dhe isha unë fati i tij. Fillimet ishin mirë, punonte kishte dëshirë dhe për punë, do bëjmë këtë, do bëjmë atë. U përpoq edhe babi im, ngaqë punonte në ndërtim, kur e kisha gjallë babanë, u përpoq që ta fuste në punë, në mirëmbajtje rruga ura, atje qëndroi për 5 vjet. Në Maj të 2005 më vdes babai, në Korrik ai merr lejen e zakonshme dhe bëhej një shtëpi aty në fshat dhe unë i thashë shko puno atje një muaj, që mos rrinte dhe rrogën e merrte, edhe ta shfrytëzonte kohën një muaj që ishte pushim. Ai vajti po punonte me ustallarët atje dhe filloi alkoolin.
Ndërkohë sa fëmijë erdhën në jetë?
Milika Toska: Brenda 5 vjetëve erdhën në jetë 3 fëmijë.
Sa vjeç është vajza e madhe?
Milika Toska: Në Shtator bën 20, e dyta bën 18 në Shkurt, ndërsa djali 15 i bëri në Janar.
Deri në vitin 2005 si ka qenë jeta pak a shumë?
Milika Toska: Nga ana ekonomike jo dhe aq, por dija si ta menaxhoja, por ishim qetë. I qaja hallin dhe më qante hallin.
Ke menduar ndonjëherë të punoje apo ngaqë erdhën fëmijët përnjëherë?
Milika Toska: Ngaqë erdhën fëmijët në jetë, burri ishte i vetëm, s’kishte njeri në familje, vetëm atë kam gjetur, asnjeri tjetër.
Më the ishte jetim me prindër gjallë?
Milika Toska: Po me prindër të divorcuar. Nuk bëheshin, babi i kishte vdekur që në ’96, kurse nëna jeton akoma.
Ka krijuar familje tjetër?
Milika Toska: Po nëna ka krijuar familje tjetër, por nuk ishte shumë e aftë për të mbajtur familjen sepse e ka lënë 3 vjeç e gjysmë.
Kush e ka rritur?
Milika Toska: Vetëm babai!
Fëmijët e njohin gjyshen?
Milika Toska: E njohin! Unë faktikisht vjehrrën e kam njohur kur kam lindur vajzën e dytë. Kam lindur në Selenicë vajzë, dhe atje shfaqet vjehrra. Vete burri im, se atje është e martuar. Vete atje, kam sjellë nusen për të lindur, ka lindur vajzë. U bë pasha, erdhi më pa më vizitoi dhe iku. Atje e kam parë unë për herë të parë.
Të ka ardhur kur bëre djalin e tretë?
Milika Toska: Jo!
Nuk i keni pasur këto marrëdhënie?
Milika Toska: Nuk i kemi patur se ajo dhe vetë nuk është mirë psikologjikisht./tvklan.al