51 viktima në tërmetin e 26 nëntorit 2019 dhe mijëra viktima në qytetin e Durrësit. Dy vite më pas edhe pse qeveria u premtoi të dëmtuarve nga tërmeti se do u rregullonte shtëpitë brenda një kohe shumë të shkurtër, mankthi ende vazhdon. Ekipi i Fax News ka mbërritur në disa prej njësive administrative të prekura nga tërmeti për ta parë nga afër gjendjen aktuale të qytetarëve të prekur.
Në Qafzotaj, shtëpia e Gëzime Majmarit është e pabanueshme dhe ende ata enden rrugëve pa një strehë të sigurt. Ata kanë jetuar dhe në çadër gjatë verës dhe në kushte shumë të vështira duke pasuar me probleme shëndetësore dhe tek fëmija i familjes.
“Bashkia nuk na jep asnjë përgjigjie. Ne nuk kemi pasur as kushte minimale për një jetë të shëndetshme. Higjiena e pamundur!
I kam informuar instancat shtetërore se jam në këtë gjendje dhe nuk e kanë vënë ujin në zjarr. Fëmija më shikon në sy, e skemi shtëpi edhe nuk di ti kthej përgjigjie. Ma kanë distancuar djalin për faktin se nuk ka një shtëpi mbi kokë.
Apeli im si nënë, grua është që shteti të vëjë dorë në këtë popull, se fëmija nuk e di as ku ha as ku pi, fëmija po bëhet me azëm, është viti i tretë në këtë gjendje. Nuk është fare e lehtë për një prind që të ketë probleme në frymarrje fëmija në këtë moshë”-tha kryefamiljarja.
Mesa duket, rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit dështoi! Pamjet e banorëve që jetojnë në banesat e parikonstruktuara dhe të pasigurta që i detyron dhe të rrinë në çadra si refugjatë, janë më shumë se të trishta.
Pallati nr.7 në lagjen 13 është po ashtu ndër më të dëmtuarit. Çështja e tij është ende në shqyrtim.
Gazetarja e Fax News, Kloida Gjuzi:Cfarë ka ndodhur gjatë këtyre 2 viteve, ku keni banuar?
Banori: Te njerëzit e afërm, se në këtë pallat s’mund të kthehemi dhe për shtëpi me qira nuk kemi mundësi financiare.
Përcaktimi që është bërë nga studiuesit ka dalë me probleme të thelluara.
Dy vite më pas asnjë nga pallatet nuk është rikonstruktuar apo i ndërtuar nga fillimi.
Por çfarë ka ndodhur me shumat marramendëse që u dhuruan nga shtete të ndryshme në ndihmë të shqiptarëve? Bashkia e Durrësit nuk u përgjigjet asnjë prej kërkesavë jetike që kanë qytetarët dhe e vetmja gjë që bën është t’i mbaje më shpresë, teksa vitet kalojnë dhe gjendja është dramatike.