Aktualitet

1 vit nga tragjedia e tërmetit, Rama: Ditët dhe netët më të çmendura

By vizional

November 26, 2020

Sot bëhet një vit nga tragjedia e 26 Nëntorit, ku një tërmet 6.4 Rihter la 51 viktima dhe mijëra të plagosur e banesa të shembura.

Në një mesazh përmes një videoje, kryeministri Rama ka rrëfyer momentet e para të natës kur ra tërmeti dhe ngjarjet që pasuan.

Ai i ka rikujtuar atë periudhë si “ditët dhe netët më të çmendura të jetës”.

“Gjatë rrugës  për në Durrës flisja me kë mundesha, minisitra, kryetarë bashkish. Durrësi keq, Laçi dhe Thumana keq. Shoh një ish-deputet tonin që kërkonte motrën me fëmijët. Kisha frikë të çuditshme nga një ndjenë vetmie, si dilet nga kjo situatë katastrofike. Kanë qenë ditët e netët më të çmendura të jetës sime. Kujtoj frikën e njerëzve, grumbullimet jashtë turma-turma, ato daljet me furi se dikush po shpërndan lajme se po vjen tërmeti”

Megjithatë kryeministri Rama shprehet optimist për rimëkëmbjen nga pasojat e tërmetit duke thënë se disa nga njerëzit që iu shemb shtëpia kanë filluar të hyjnë në banesat e reja.

Ai shton se kjo krizë duhet kthyer në një mundësi të re dhe në fund të mesazhit të tij bën apel për durim pasi siç shprehet ai Shqipërisë i duhet kohë për të përfunduar punët e mira. / Opinion.al