Të trashëgosh me Ligj Kulturën Shqiptare/ Nga Marjana Zeneli Bulku

Të trashëgosh me Ligj Kulturën Shqiptare/ Nga Marjana Zeneli Bulku

1058
0

Të trashëgosh me Ligj Kulturën Shqiptare … këtë faqe historike po e shkruan Dr Ruki Kondaj me Laura Albanezen në Ontario  të cilat përmes një solidariteti femëror , funksional arritën të bëjnë bashkë si kurrë ndonjëherë parlamentin e Ontarios me komunitetin shqiptar në Kanada përmes një pune profesioniste në grup të drejtuesit të medias Pasqyra Shqiptarë, padyshim ndër mediat më të mira në diasporë, Iliaz Lokut, Ramazan Këllezit dhe tërë Bashkësisë shqiptaro-kanadeze që në cdo hallkë të këtij zinxhiri të gjatë pune demostrojnë vlera. Të sjellësh komunitetin në Parlamentin e Ontarios nuk është një proces i lehtë, mbart me vete hapa dhe punë që vetëm një grua e rrallë si Dr.Ruki Kondaj mundet të realizojë, me vizionin dhe objektivat, me këmbëngulje dhe vullnet të hekurt , me debat dhe refleksion, por gjithmonë pa u ndalur ajo din t’ju dalë sipërmarrjeve të saj në krye. Dhe kush jeton në vende të mëdha e din se sa kosto ka kjo për një grua që është edhe amvisë njëkohësisht. Pa folur për lodhjen(një labe si ajo e sfidon tej lodhjen)por duke u përpjekur të bëjë rreth vetes miq e bashkëudhëtarë, mjeshtra dhe artistë dr .Ruki Kondaj ka arritur të ndërtojë një marrdhënie të rrallë me Parlamentin e Ontarios, kjo duket në vullnetin e tyre pozitiv në këtë partnership me komunitetin shqiptar. Si ndodhi ky femomen; së pari Dr. Kondaj ndërtoi një grup serioz ku televizioni, intelektualët dhe mërgatat e vjetra kishin rol esencial. Së dyti autorësinë e projektit po e sipërmerrte në partnership me një shoqatë ,SHBSHK me reputacion dhe histori gjurmëlënëse. Dhe së treti akumulimi i vlerave më të mira të komunitetit që jeton aty ;në art, në kulinari, në shkencë ,etj e sjell në pikën më të lartë projektin me shqiptarë që në këtë rast ka kryefjalë trashëgimninë. Dhe në fakt kur shikon Ana Goljen tek këndon dhe prezanton rrjedhshëm në mend më vjen Vaçe Zela, kur shikon dhe shijon produktet Adi e Bruna Brari ,në mend më vjen një falenderim special për këto miksazhe arti muzeale të ngrënëshme që prodhohen vetëm nga ATA,kur dëgjon Rudin Lengon të luajë mjeshtërisht në pianon e thjeshtë më vjen ndër mend Ibrahim Madhi që të madh e bëri arti por edhe trashëgimnia  e talentit artistik tek nipi. E pra duket se endesh nëpër një mozaik që rritet e rritet sa herë që Ruki Kondaj e Laura Albaneze çelin dyert e Parlamentit të Ontarios. Miq me shqiptarët e Ontarios tashmë janë edhe deputetët Brad Durguid, Yvan Beker, Shefik Qadri i cili me humor përsërit se po kërkon rrënjët e tij të lidhjeve me Kadarenë bazuar nga ngjashmëria e mbiemrit. Ata janë mrekulluar nga forca e jashtzakonshme persistuese e pathyeshme e Dr Ruki Kondaj për ta sjellë me ligj trashëgimninë kulturore shqiptare në botën e lirisë kanadeze. Dhe aktet po tregojnë se sa e thellë është gjuha jonë, kultura jonë, historia jonë kur rrojnë në liri. Kjo është pavarësi legjitime që i shkon përshtat çdo valëvitje flamuri e mërmëritje himni sepse thellë thellë ka kontribute e projekte që më së fundi kanë strehë “Shtëpinë e Shqiptarit ” për të cilën janë dhuruar aq shumë të holla bujarisht në trashëgim të Bujarisë.

Pasditja e 20 nëntorit 2017 i foli shqip Parlamentit të Ontarios me zërin edhe të shpirtit të sopranos Inva Mula. Interpretimet e saj janë me rrënjë të thella në kulturën shqiptare , traditën e saj ku Avni Mula e Nina Mula hodhën rrënjë me krijime , vepra të paharruara. Zëri i Invës nuk është vetëm zëri i saj, është një kor zërash që vjen nga e shkuara e saj, ndalon në fëmijëri, shtegëton në liri duke i dhëne emër Shqipërisë së vogël, të izoluar,është një zë që këndon në të gjitha gjuhët e botës, jeton nëpër shtatë nota dhe i flet çdo shpirti duke i përlotur.Zërit të Invës iu bashkua Laura Albaneze …e si të mos ?!…kur këndonte “Moj e bukura More” aty ku nis drama e ikjes, ajo dramë e trefishtë që përjetohet këtej dhe andej por që më fort e vuan Atdheu i zbrazur… Zërit të Invës iu bashkuam edhe ne me “Lule Borë” këtë kompozim të Simon Gjonit që përmbyll festat , gëzimet, tryezat tona me larminë e ngjyrave e të lumturive që lulzojnë kur mblidhemi bashkë. Prezenca e Inva Mulës në Parlamentin e Ontarios ishte një tjetër akt historik ku një emër nga ku arti shqiptar lind dhe buron vazhdon ti dhurojë art e mirësi kauzave shqiptare kudo janë. Sa herë që shkruaj për ditët kuq e zi në Ontario mendoj Ambasadorin Ermal Muça , mikun e butë e të mençur se sa bukur por edhe e vështirë është të jesh në krah të një komuniteti kaq cilësor që nuk ndalon drejt cilësisë duke u bërë lider në mbrojtjen dhe trashëgimin e vlerave në  mbarëbotën shqiptare brenda dhe jasht Shqipërie.