Shqipëria nis kontigjentin e parë në grup-batalionin e NATO-s në Letoni

Shqipëria nis kontigjentin e parë në grup-batalionin e NATO-s në Letoni

387
0

Në ambientet e Komandës Mbështetëse u zhvillua sot ceremonia e dërgimit të kontigjentit të parë të EOD (Explosive Ordnance Disposal ), në misionin operacional të NATO-s në kuadër të prezencës së përforcuar në Letoni.  Të pranishëm në ceremoni ishin ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, komandanti i Komandës Mbështetëse kolonel Ardian Bali, komandantë e drejtues të  Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes si dhe familjarë dhe të afërm të pjesëtarëve të EOD. Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli në fjalën e saj tha se pas anëtarësimit në NATO, koncepti i Mbrojtjes Kolektive, e ka evoluar perceptimin tonë për mbrojtjen, pasi tashmë kufijtë e çdo Aleati janë edhe kufijtë tanë, të cilët mishërojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë. “Në këtë kuadër, këta djem do të nisen sot, si pjesë e forcës së përparuar të Aleancës, për të kontribuar në mbrojtjen, parandalimin dhe aq më shumë garantimin e sigurisë së vendeve Aleate të NATO-s në Europën Lindore”.  EOD është struktura speciale për eleminimin e materialeve të rrezikshme, të Batalionit të Xhenios të Komandës Mbështetëse. Kjo strukturë është prioritet i Komandës Mbështetëse dhe i Forcave të Armatosura dhe përveç angazhimit brenda vendit ajo kontribuon me përfaqësues në Mali, Afrikë dhe tashmë edhe në Letoni. Shqipëria është pjesë e grup – batalionit në Letoni nën komandën e Kanadasë, ku marrin pjesë dhe Italia, Polonia dhe Sllovenia.  Aktualisht po dislokohen katër grup-batalione shumëkombëshe në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, që do drejtohen respektivisht nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Gjermania dhe SHBA. Forcat tona do të ofrojnë kapacitetin EOD për grup-batalionin e dislokuar në Letoni i cili është dhe konsiderohet një kapacitet shumë  i rëndësishëm mbështetës.