Nuk e mendoja kurrë se një vizitë në zonën e mbi Shkodrës do të sillte dimensionet e një bukurie brilante që fshihej në veriun e largët të vendit tim të dashur. Sa shume rritet një vend kur ka rrugë të rregulluara! Udhëtimi, për shkak të rrugëve të reja, është bërë shumë më i lehtë. Tashmë ky vend tërheq më shumë vizitorë se një vit më parë. Mes malesh të larta që nga dalja e Shkodres e deri në Vermosh shpalosej një bukuri e rrallë.
Gjelbërimi shplodhës , krojet me ujë aq të kulluar si askund tjetër në Shqipëri, shpatet e gjelbëruar me bimësi dhe pemë të shumëllojshme, godinat e reja , sistemimi i katundeve , lëndinat plot lule të rralla shumëngjyreshe dhe bimë mjekësore , ajri i pastër që të mbush mushkëritë me oksigjen dhe të lëmon lëkurën, mikëpritja e banorëve na thonë : Ejaaaaa
Rregullimi i rrugës automobilistike deri në skajet më të largëta ka mundësuar zhvillimin e turizmit me hov të madh. Emigracioni drejt Amerikës së largët ka mundësuar edhe investime cilësore nga popullsia vendase.
Turizmi është një mundësi e shkëlqyer punësimi dhe burim i sigurt i të ardhurave në këtë vend të bukur. Popullsia e kësaj zone rrezaton krahas dëshirës për punë, edhe dëshirën për ta ndryshuar pozitivisht vendin nëpërmjet punës.
Bujtinat janë kthyer në një burim për tërheqjen e turizmit. Ato afrojnë bujarinë dhe respektin e të zotëve, kushte komode që çdo ditë përmirësohen , higjenë admiruese , ushqime shumë të shijshme të gatuara me shumë dashuri.
Drita e diellit që shpërndahej fuqishëm duke u përzier me koloret e luleve shumëngjyrëshe në lëndina krijonte pamje fantastike. Margaritat lulëzonin gjithandej në lëndina. Plot lule erëmira të mahnisin me bukurinë e tyre ndjellëse. Një udhëtim mbresëlënës që më bëri të njoh cepin më të largët të vendit tim!
Çdokush që kalon në këto zona arrin të relaksohet dhe të mendojë se do të kthehet përsëri për të marrë energji positive, dhe për të parë ndryshime të reja, që do t’ja shtojnë edhe më tepër bukurinë këtij vendi.