Rama kërkon ndjesë për HEC-et: Kanionet e Osumit nuk preken. Qeveria nuk...

Rama kërkon ndjesë për HEC-et: Kanionet e Osumit nuk preken. Qeveria nuk është e pagabueshme

464
0

Kryeministri Edi Rama deklaron se do të terhiqet nga vendimi për të ndërtuar HEC-e mbi lumin Osum. Sipas tij vendimi i marrë nga qeveria e mëparshme ishte gabim pasi ishte falsifikuar leja mjedisore. Rama thotë se do ta cojë këtë çështje në prokurori. Sakaq u kërkon falje qytetarëve dhe pranon se qeveria ka bërë gabim. Rama në facebook: “Qyshse u krye procedura ligjore e miratimit të një lejeje të dhënë nga qeveria e mëparshme dhe u mor sinjali se diçka nuk shkonte, Ministri i Mjedisit Blendi Klosi nisi hetimin administrativ të lejes mjedisore. E cila rezultoi një fabrikim kriminal me koordinata të manipuluara. Individët e përfshirë në këtë fabrikim do të kallzohen në prokurori, ndërsa e gjithë procedura do të anullohet. Falenderoj qytetarët që na e çuan të parët këtë sinjal përmes Platformës së Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al dhe të gjithë të tjerët që u përfshinë në publikimin e këtij krimi të mbetur në tentativë. Asnjë qeveri askund në botë nuk është e pagabueshme, por qeveritë dallojnë nga mënyra sesi reagojnë, qoftë kur gabojnë apo qoftë si në këtë rast, kur padashje mund të jenë duke gabuar. Ndjesë kujtdo që me të drejtë u shqetësua apo pikëllua nga lajmi i keq i prekjes së Kanioneve Magjike dhe mezi pres të rikthehem atje, në duart e djemve e vajzave të mrekullueshme të Federatës Shqiptare të Raftingut”.

 

Kush e dha lejen për HEC-e

 

Projekti për hidrocentrale mbi lumin Osum u miratua fillimisht më 6 shtator 2013 nga ish-qeveria Berisha. Por, më pas, Ministria e Energjisë e drejtuar nga Damian Gjiknuri jo vetëm që nuk e ka anuluar koncesionin, por ka vazhduar procedurat për ndryshimin dhe miratimin e një kontratë të re edhe më të madhe me kompaninë HP-Bigas-Veleshnje Energy, me administrator Alban Feta.

 

Në maj të vitit 2016, Ministria e Energjisë ka miratuar kontratën e re ku fuqia e hidrocentralit Bigas-Veleshnjë rritet nga 0.5 mega në 1.2 mega.

 

Në mars të vitit të kaluar, ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta aktualisht President, i është drejtuar Kryeministrit Rama, Ministrit të Energjisë dhe ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka që të anulojnë projektin. Por qeveria nuk është tërhequr. Më 12 dhjetor 2017 me firmën e Edi Ramës, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar aktin e fundit që i hapte rrugë ndërtimit të HEC-eve.