Radikal nuk lind, bëhesh!

Radikal nuk lind, bëhesh!

533
0

 Nga Valbona Sulce

 

Tema e radikalizmit të dhunshëm në Shqipëri ka kohë që diskutohet, kryesisht në tavolina konferencash të shoqërisë civile dhe organizmash ndërkombëtare. Megjithatë, rasti i Alvin Berishës, një fëmije shqiptar me nënshtetësi italiane, të mbetur në kampet e Sirisë, publikuar nga emisioni investigative i Italia Uno Le Iene, e riaktivizoi këtë tematikë vrullshëm në muajt e fundit të vitit 2019 , duke i kushtuar programe të posacme televizive dhe gazetareske. Pak kohë pasi çështja e Alvinit përfundoi me sukses, Ministria e Brendshme publikoi një deklarate shtypi sipas së cilës kishte zbuluar një cellule terroriste që kishte patur për qëllim të kryente akte në kampin e muhaxhedinëve iranianë në Manzë, por anëtarët e së cilës gjendeshin jashtë Shqipërisë.

Pas kësaj, rutina e lajmeve u kthye në shinat e zakonshme dhe tema e radikalëve u zhduk nga radarët e ligjërimit publik. Ndërkohë, ajo vazhdon të mbetet gjithnjë aty, sepse ndryshe nga sa besohet se radikalët nuk kanë lidhje me ne meqë janë larg, në fakt, janë këtu, mes nesh. Dhe janë të rinj.

Kështu thonë specialist të çështjeve të terrorizmit, njerëz që kanë punuar në terren , kanë intervistuar imamë të arrestuar dhe të rinj të gënjyer, burra e graqë kanë marrë plaçkat në krah në drejtim të Sirisë e Irakut dhe pastaj janë kthyer pa qenë as në qiell as në tokë, njerëz që kanë negociuar me terroristët për lirim pengjesh, dmth njerëz që i kanë haberin kësaj pune dhe nuk flasin në hatlla. Ata flasin për një ‘rini të veçuar’, ky është termi që përdorin.

Të rinj e të reja që enden rrugëve të qyteteve dhe fshatrave tona pa një busull orientimi. Të rinj të postohen si top futbolli sa te njeri-tetjetri. Shkolla thotë i ka familja, familja thotë i ka shkolla, policia thotë kur më vijnë mua, unë i plas brenda, pushteti local thotë ku t’u gjej punë une, s’kam për vete. Dhe kështu i kemi lënë vetëm në moshën më të brishtë, kur kërkojnë vëmendje. I paragjykojmë, themi që nuk kanë interes për asgjë, nuk i mbush asgjë, vullnetarizmi u duket kot, aktivitete nuk ka. Kur në fakt nuk u ofrojmë asgjë që të zhvillojnë interesat e tyre. Në Shqipëri kemi qytete të tëra pa një bibliotekë, pa një kinema, pa një qendër kulturore, pa teatro, pa librari, pa hapësira të përbashkëta ku të zhvillojnë ndjenjën e përkatësisë. Dhe këtë boshllëk e mbushin njerëz që e kanë pohuar me gojën e tyre që kërkojnë të rinj për t’I indoktrinuar, shpëlarë trutë e dërguar në luftra që nuk u përkasin.

Se radikal nuk lind, bëhesh. Dhe nuk bëhesh Brenda ditës. Çështja është që po u bëre, është shumë e vështirë të ç’bëhesh. Kosova, tha nje gazetar, është rasti ilustrues se si një truall I lënë djerrë mund të pjellë ekstremistë, radikalë, nëse askush nuk kujdeset për të. Prindërit nuk kanë kohë të merren me adoleshentët? Ka të tjerë që kanë kohë dhe jo gjithmonë kanë qëllimet më të mira.

Po media? Specialistët ankohen se raportimet joprofesionale të medias e dëmtojnë luftën ndaj radikalizmit. Asgjë e re deri këtu. Po cështja është që si ta bëjmë median pjesë të mekanizmit tërësor që parandalon dhe lufton radikalizimin e dhunshëm. Të gjithë të tjerët, dmth institucionet mund t ‘i mbledhësh në vathë, median jo, se është pushtet i pavarur. Se media ka parime të tjera kur vjen fjala për informacionin. Në fakt janë parime të vjetra. Lajmi i keq është lajm i mire funksiononte në një botë tjetër. Është koha që edhe media të marrë përgjegjësitë e veta dhe të jetë më konstruktive në trajtimin e temave të tilla, që nuk kalojnë me një skup. Na duhet një gazetari me qëllim.

Shperndaje