Për Eni Vasilin, Fred Pezën dhe debatin mbi mediat në Shqipëri! Nga...

Për Eni Vasilin, Fred Pezën dhe debatin mbi mediat në Shqipëri! Nga Arian Galdini

690
0

Shantazhistë, gjobaxhinj, etj, ishin pak a shumë cilësorët që Eni Vasili përdorte për kolegët dhe konkurentët e saj të mbrëmjeve televizive shqiptare. Ma tërhoqi vëmendjen ai shpërthim pothuajse interesant, jo për çka shkruante Eni, por për gjetjen e saj për ti bërë marketing produktit të saj televiziv që prej kësaj të enjteje do të jetë  në vitrinën e All Stars, siç e quan Fred Peza. Fakti që po ndërhyj në këtë debat nuk buron as nga fakti se unë jam aktivist politik e as nga ndonjë dëshirë a prapamendim për të futur hundët aty ku ka lajm.

Aspak.

 

Raporti im me politikën ka qenë ngahera raport jopushteti. Kurrë nuk kam pasur asnjë ditë paqeje a bashkëpunimi me njerëz në fuqi. Për 27 vite kam qenë gjithëherë njeriu i politikës në liri, dinjitet e integritet të plotë. Kam qenë në bashkëudhëtime me parti a politikanë por veç në korsinë time, e kurrë në ditët e tyre në pushtet. Edhe raportin me lajmin e kam tejet sqimatar e konservativ. Në asnjë rast nuk kam synuar të bëhem a bëj lajm me kotësi a prej të tjerëve. Jam bërë ose kam bërë lajm vetëm bazuar në nisma, ide e veprimtari që kam zhvilluar vetë. E qëruar kjo, dua të kthjelloj se në këtë debat po ndërhyj si qytetar i shqetësuar për nivelet dhe treguesit e demokracisë dhe lirisë në vendin tonë.

 

  1. Pyes Enin, Fredin dhe All Stars, a nuk ju bën përshtypje se vendi i dytë më i varfër në Europë ka numrin më të madh të mediave televizive, të shtypit dhe online?

E jo vetëm që numri i tyre është befasues, por edhe teknologjia dhe paratë e investuara në to janë mbresëlënëse.

Hidhni një sy në Greqi, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Kroaci, etj, etj, e nuk do të gjeni kaq shumë media dhe kaq shumë investime marramendëse për teknologjinë e tyre.

Numri çmendurisht i lartë i mediave dhe investimi marramendës që bëhet në to e për to është paradoksi më i epërm kur mendon se jemi një vend kaq i vogël me vetëm 2.8 milion banorë.

E vërteta e hidhur që duhet ta themi të dashur Eni, Fredi dhe All Stars, është se Shqipëria nuk ka dalë dot nga ngërçi dhe kalbtësia e propagandës totale. Njëlloj si dikur në kohën e Diktaturës Komuniste kishim vetëm agjipropin e PPSH, sot kemi agjipropet e pluralizmit të partive e grupeve finaciare që kanë shumëfishuar modelin e PPSH.

Nuk kemi pluralizëm real, me parti e modele që konkurojnë me ide, liri, vizion, projekte, alternativa.

 

Kemi pluralizëm teknik, sepse gara bëhet mes partive e grupeve të ndryshme që bartin të njëjtin model.

Kjo ka sjellë këtë trallisje me kaq shumë para e teknologji në këtë det mediash që bëjnë agjipropin e partive tona.

 

2.8 milion shqiptarë janë çdo ditë nën elektroshokun e agjipropit total.

Politikë, politikë dhe vetëm politikë.

Paradoksi bëhet shfazues kur ti e di se vendi është i zhytur në skamje, varfëri, mjerim, papunësi, pashpresësi ndërkohë që politikanët tejkalojnë çdo fantazi showbizi hollywoodiane me pasuritë e tyre përallore dhe jetën ditore prej fashionistash nga Beverley Hills.

Pra e thënë açik, politikanët tanë pasurohen duke na sunduar e plaçkitur neve, ndërsa mediat lulëzojnë me paratë e plaçkës që bëhet mbi vendin e qytetarët, gjë që i kthen gazetarët dhe analistët jo në gjobaxhinj e shantazhistë siç i quan Eni, por në simbioza natyrale në këtë ‘lojë grykësie dhe imoraliteti’ pa kufij.

Arsyeja pse kemi kaq shumë media e kaq shumë para për mediat, gazetarët, analistët është pikërisht nevoja simbiotike e sistemit politik plaçkitës për agjiprop total.

 

Liria e çartur me një det mediash e pafundësi informacioni dhe interpretimesh prej analistësh majmërisht të paguar quhet në ditët e sotme si ‘Tirania e transparencës’ dhe është po aq vrastare e lirisë, sa edhe çensura e ndalesa e plotë e lirisë së shprehjes.

 

  1. A nuk ju bën përshtypje se ne kemi më shumë analistë dhe moderatorë emisionesh televizive për banorë, sesa mësues, mjekë, agronomë e veterinerë?

Shërbimi i agjipropit total fillon në mëngjes e nuk mbaron e as pushon për asnjë çast deri në mëngjesin tjetër, e kështu pandalshmërisht…

Shqiptarët mund të mos kenë shërbime mjekësore, mund të mos kenë as mësues, ama pa lajme e analistë nuk mund të lihen…

 

  1. A nuk ju bën përshtypje se pronarët e mediave ku ju punoni janë kreditorë të këqinj në Banka e tek Politika?

A nuk ju bën përshtypje që juve ju dridhen leqet e këmbëve kur ju vjen pronari, kur ju telefonon pronari, kur ju sms pronari e ju tregon kë të doni, e kë të mos doni?

 

A nuk ju bën përshtypje se pasurimi dhe fuqia e pronarëve tuaj është bërë njësh me plaçkitjen dhe pushtetin e politikanëve tanë?

Nuk është shantazhist e as gjobaxhi askush që punon për pronarë klientelistë.

Është simbiozë dhe kaq. Secili bën të vetën natyrale brenda makinerisë dhe sistemit të së keqes.

 

  1. Nuk ka njeri që nuk e di se nuk ekziston në Shqipëri ai emision, televizion, gazetë, gazetar, moderator e analist që nuk komandohet, përpunohet, orientohet apo mer leje nga 3 apo 4 Kujdestarë për Mediat të Kryetarëve të partive.

Të gjithë e dimë se ju punoni veç me listëporosi nga Kujdestarët Mediatikë të Kryetarëve të Partive, nga pronarët tuaj, nga klientët tuaj, nga tarafet, miqësitë e tavolinat tuaja të bankës së qokave.

Ju nuk keni liri.

I keni mbytur mediat me vetëm 50 njerëz që i shëtisni dhe i shkëmbeni gjithë ditën e çdo natë nga njëra studio në tjetrën.

 

A nuk e kuptoni se jeni bërë paradoksalë e të papërtypshëm?

 

Jemi vendi me rekord global, me numrin më të madh të mediave dhe emisioneve e moderatorëve dhe çuditërisht me numrin më të vogël të njerëzve që promovohen e shfaqen në to.

Vetëm 50 njerëz me listëporosi sheh në çdo ekran.

Edhe fytyrat e reja që prodhoni i merni me listëporosi nga klientelat politike, financiare apo universitare.

Ju nuk lejoni lirinë të veprojë.

Për ju çka ndodh pa lejen e politikanëve plaçkitës, pa lejen e pronarëve tuaj dhe pa lejen e klientelave tuaja, nuk ekziston, është asgjë.

 

Andaj mos shani kot njëri tjetrin sepse jeni pjesë e pandashme e simbiozës në këtë sistem të fëlliqur të politkës plaçkitëse dhe agjipropit total.

 

Dhe e fundit.

 

  1. A nuk ju bën përshtypje e a nuk e ndjeni si kriminale këtë risi të politikës dhe agjipropit total që flet vetëm me gojën, fytyrën, fjalët dhe gërmat e gazetarëve e analistëve për gjithçka?

E keni mbytur këtë shoqëri me analistë e analiza që vetëm interpetojnë për llogari të Kryetarêve të Partive, pronarëve e pagesave të majme.

Qytetarët nuk votojnë analistë.

Qytetarët votojnë politikanë.

Qytetarët nuk ua paguajnë rrogat me taksat e tyre analistëve, por politikanëve dhe funksionarëve publikë.

 

Pse kaq pak politikanë të zgjedhur e kaq pak funksionarë publikë të ftuar në studiot tuaja?

 

Qytetarët meritojnë tu jepet llogari, jo tu bëhen analiza dhe interpretime.

Politikanët dhe funksionarët publikë e kanë për detyrim të japin llogari.

Nuk mund të na e vrisni lirinë dhe të drejtën e llogaridhënies duke na marë frymën me analistë e analiza.

 

Një shoqëri pa llogaridhënie është një shoqëri e vrarë.

Një shoqëri e mbytur nga analizat dhe interpretimet është një shoqëri e palirë.

Kryetarët e partive e kanë të lehtë të rrethohen me kaqola, kur nuk u duhet më të nxjerrin politikanë që të japin llogari.

Me kaqola vrasin demokracinë e brendshme ndërsa me analistë na interpretojnë neve sesa e bukur duket hëna kur pjell mushka.

 

Mjaft më.

 

Lejoni lirinë. Punoni për lirinë.

Ky është misioni i gazetarëve të vërtetë.