PDIU takim madhështor në Peqin, Idrizi:PDIU do të jetë një parti me...

PDIU takim madhështor në Peqin, Idrizi:PDIU do të jetë një parti me grup parlamentar me 10 deputetë

1846
0

Nga Klodiana Hilaj

Idrizi: PDIU nuk ka importuar kurrë kandidatë për deputetë, prandaj përfaqësohet në Elbasan me Aqif Rakipin, Bujar Muçën e Elena Xhinën

 

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ka zhvilluar një takim madhështor me përkrahës në qytetin e Peqinit. Në këtë takim morën pjesë, kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, deputeti Aqif Rakipi, i cili kryeson listën për deputet në qarkun e Elbasanit dhe kandidatët Bujar Muça e Elena Xhina. Z.Idrizi u shpreh se PDIU do të dyfishojë mandatet në 25 qershor, falë mbështetjes së Peqinit dhe të gjithë Shqipërisë.

Fotografia e Florenca Stafa Halili

“Me mbështetjen tuaj, me entuziazmin tuaj, me atë që e shohim çdo ditë në Shqipëri, PDIU do të jetë një parti me grup parlamentar me 10 deputetë, e cila do të jetë pranë atij pushteti që mendon për këtë vend, që mendon për këtë komb, e që do ti jape dritë kauzave tona, do ti japë hapësirë, sepse ne jemi krijuar si parti kauzash. E kjo është arsyeja pse unë ju ftoj mos t’i bashkoheni atyre që për 27 vjet nuk kanë ardhur njëherë të japin llogari për atë që ju kanë marrë votën, 4 apo 8 vjet më parë. T’ju thonë që kemi bërë këtë, apo s’kemi bërë këtë. Por jo, sa herë që vijnë stigmatizojnë njëri-tjetrin, merren me histori personale, pikërisht që shqiptarët të mos kuptojnë kush është programi i partive”,- u shpreh kryetari i PDIU-së.  Shpëtim Idrizi tha se për 27 vjet është folur për reforma në Shqipëri, por shqiptarëve u është vrarë shpesa. “Ne nuk kemi një Atdhe të dytë që t’ja falim atyre që për 27 vjet folën për reforma, por nuk e panë asnjëherë deformimin e tyre. Folën që do të bënin progres e do të shkonin drejt integrimin europian, por bënë vetëm zigzake, sepse donin integrimin e Shqipërisë vetëm kur ishin në pushtet. Kjo është arsyeja pse ne kemi 27 vjet që vërtitemi në një rrugë që akoma nuk e dimë. Kjo është arsyeja pse shqiptarëve u është vrarë shpresa, por prania juaj këtu tregon që Shqipëria ka shpresë”, – theksoi kryetari i PDIU-së. Z.Idrizi u shpreh se PDIU nuk ka importuar kandidatë për deputet dhe në Elbasan përfaqësohet me Aqif Rakipin dhe të gjithë kandidatët e tjerë, të cilët u qëndrojnë pranë njerëzve.

“Ne nuk mund të gjenim në këtë vend, listë më të mirë dhe njerëz më të mirë që të ishin pranë jush sesa Aqif Rakipi, Bujari, Elena, Dritani, Servo e shumë djem dhe vajza nga gjithë qarku i Elbasanit. E arsyeja jonë themelore për ta bërë këtë është sepse ne duam njerëz që i njohin hallet dhe problemet tuaja. I njohin të gjitha ato që ju preokupojnë. Mungesën e zhvillimit, varfërinë, ndasinë, të gjitha ato që na kanë munduar për 27 vjet. Kjo është arsyeja që Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk ka importuar kurrë kandidatë për deputet nga qarqet e tjera. Njerëz që ju t’i shihni në muajin e fushatës e pastaj t’i shihni nga televizori. Por këtu në Peqin ne kemi arsye më shumë, sepse këtu në Peqin ne i kemi fillesat e fitores së madhe të PDIU-së me mikun tim, vëllanë tim Aqif Rakipin, që kemi ndezur të gjithë qarkun e Elbasanit e të gjithë Shqipërinë për t’i dhënë vrullin tonë, sharmin tonë, për t’i dhënë patriotizmin tonë të gjithë shqiptarëve. Votoni PDIU-në! Votoni nr 13! Votoni Aqif Rakipin, Bujar Muçën, Elena Xhino, dhe të gjithë kandidatët e tjerë në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë”,- u shpreh Shpëtim Idrizi.

Rakipi-qytetarëve të Peqinit: Unë krenohem me ju!

Ndërsa kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet Aqif Rakipi, e nisi fjalën e tij duke përshëndetur përzemërsisht qytetin dhe elektoratin të cilët i ka dhënë besimin e tyre duke e zgjedhur deputet të parlamentit shqiptar.

Si pikënisje të karrierës së tij në politikë ka qenë vendlindja e tij, Peqini, ku ai ka patur dhe ka gjithë miqtë dhe shokët e tij.  “Gjatë kësaj fushate kemi takuar shumë njerëz, të cilët i gjejmë në kafene gjatë gjithë kohës. Pse? Sepse janë pa punë, pa shpresë, por shpresën do ta gjejnë tek Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ne do ti japim shembull politikës shqiptare. Me përkrahjen tuaj nga 1 deputet që kishim shkuam 5, kurse sot do ti dyfishojmë mandatet. Do të kemi të paktën 10 deputetë në Parlamentin e Shqipërisë. Vetëm në Elbasan ne do të marrim të paktën 3 deputetë”-tha Rakipi. Ai nuk la pa përmdenur dhe kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, për të cilën tha se ruan një miqësi me të, por e ftoi Edi Ramën që ti jap zgjidhje të gjithë problemeve që ka fshati, qarku dhe gjithë vendi. “Do ti japim shembull të gjithë politikës shqiptare se deri tani që kemi bërë fushatë të qetë, dhe jemi mbështetur tek puna e palodhur e gjithësecilit prej nesh”.

Muça: Mbështetja juaj në 25 qershor do jetë akoma më e madhe

Kandidati tjetër për deputet në qarkun e Elbasanit, Bujar Muça, u shpreh se: “. Ju ishit të parët që zgjodhët forcën politike, zgjodhët njeriun. Forca që ju zgjodhët është PDIU, njeriu që ju zgjodhët është Aqif Rakipi. Ajo që mund të ndodh brenda disa ditësh, apo në një ditë të vetme, mund të ndryshojë rrjedhën e jetës të gjithsecilit prej jush. I tillë në fakt është edhe 25 qershori, një ditë e veçantë, që mund të ndryshojë jetën e çdokujt.

Unë jam i bindur që mbështetja juaj në 25 qershor do të jetë akoma më e madhe, nga ajo që ka qënë më parë. Jam i bindur që edhe qyteti i Elbasanit, do të ndjekë të njëjtën traditë ashtu si Peqini dhe forca jonë politike në qarkun e Elbasanit do të jetë fituese në 25 qershor”. 

Xhina: Peqini, shembull i fuqishëm për politikën shqiptare

Elena Xhina, kandidatja për deputete në qarkun e Elbasanit, e treta në listë, në fjalën e saj theksoi faktin që qyteti i Peqinit i ka dhënë një shembull të fuqishëmn politikës shqiptare, duke vlerësuar njeriun e tij, Aqif Rakipin. “Ne vijmë këtu me mendimin për të qenë zëri juaj dhe për të përcjellë çdo mesazh tuajin në çdo kohë. PDIU është parti që ka drejtësinë për çdo person, ka integritetin për të gjithë shqiptarët, dhe në këto zgjedhje parlamentare si përfaqësues dinjitoz risjell edhe njëherë në fokus Aqif Rakipin, vizionin dhe përkushtimin e tij në realizimin e objektivave në të mirë të qytetarëve që e kanë votuar”-tha Xhina.  Ndërsa kryebashkiaku i Peqinit, Saimir Hasalla u bëri thirrje qytetarëve të Peqinit të votojnë zotin Aqif Raikipi, pasi sipas tij ai është zgjidhja e halleve dhe e problemeve të këtij komuniteti. Ai listoi një sërë invetimesh të ndërmarra nga bashkia siç ishin investimet në sistemin vaditës dhe investime të tjera infrastrukturore, ku vlen të përmendet bërja e rrugës hyrëse të qytetit.