PATOZI: PSE NUK DUHET TË ÇUDITET BASHKIM FINO/ Nga Astrit Patozi

PATOZI: PSE NUK DUHET TË ÇUDITET BASHKIM FINO/ Nga Astrit Patozi

461
0

E kam ditur se do të fitonte Armando Duka, që ditën e parë kur u hap gara për FSHF-në, por nuk desha ta flas dhe bëra mirë. Jo se jam profet, as se e njoh me mirë se të tjerët botën e futbollit shqiptar. Por se e di ndoshta pak më mirë se të tjerët që në Shqipëri nuk ka institucione, por vetëm kompani të mëdha apo të vogla biznezi. Duke filluar nga qeveria, opozita, partitë politike, universitetet, akademitë, media, shoqatat dhe padyshim edhe Federata e Futbollit nuk ka pse bën përjashtim. Dhe si të tilla ato funksionojnë pak a shumë përmes ligjësive të ngjashme. Ku pronari apo aksioneri kryesor ka vetëm dy mundësi që të largohet, ose të lodhet e të ikë vetë, ose, larg qoftë, të vdesë. Ndaj edhe Bashkim Fino, më shumë se kushdo tjetër, nuk duhet të çuditet sot pse humbi. Sepse, një gjë që nuk e kërkon në partinë apo qeverinë e vet, nuk ka si ta gjejë tek “shtëpia” e tjetrit. Edhe Armando Duka, i cili sot po akuzohet si uzurpator e plot etiketime të tjera, nuk ka asnjë arsye për të qenë shenjt, sa kohë që sheh se çfarë bëhet rrotull tij. Duke filluar nga më të mëdhenjtë e vendit, i pari fare, që nuk bën zgjedhje fare në partinë e vet, ndërsa i dyti, që vjedh edhe votat e shtëpisë së tij. Sepse në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje, por vetëm votime, dhe sa kohë që kjo flamë do të vazhdojë, këtu nuk do të ketë institucione, por vetëm kompani private me një pronar të vetëm.

Kjo vlen për zgjedhjet politike dhe për zgjedhjet lokale, për ato të partive, por edhe ato në Akademi, universitete dhe shoqata, madje edhe për administratorin e pallatit, po u bë me votim.

Ndaj edhe do i ftoja modestisht të gjithë kritikët e Armando Dukës, që nëse e kanë seriozisht betejën e tyre dhe në shërbim të publikut, të mos harxhojnë kaq shumë energji me Federatën Shqiptare të Futbollit, por t’i drejtojnë prozhektorët e tyre aty ku janë rrënjët e së keqes.

Tek politika, si biznesi më fitimprurës dhe pastaj sigurisht ka vend edhe për federata, shoqata e kështu me radhë…