Pasqyrimi i festave fetare në media, kaos dhe mungesë të kulturës teologjie...

Pasqyrimi i festave fetare në media, kaos dhe mungesë të kulturës teologjie që krijon pabarazi mes komuniteteve fetare/Nga Eglantina Alliaj

529
0

 

Nga Eglantina Alliaj

 Në Shqipëri aktualisht janë të zyrtarizuara 5 besime fetare, myslimanët sunitë, bektashinjtë, katolikët, ortodoksët dhe protestanët. Në 2 dekadat e fundit kanë depërtuar dhe korente të reja të besimit në zona të ndryshme të vendit. Nëse sot pranohet që mes komuniteteve fetare ka tolerancë dhe bashkëjetesë, kjo nuk duhet të interpretohet në rrafsh sipërfaqësor, pasi evidentohet shpesh fakti që në raste festash fetare ka shkëmbime urimi nga besime të ndryshme. Po si raportohen këto festa fetare nga media në Shqipëri? Përveç medias tradicionale, televizionet dhe gazetat, prej vitesh në vendin tonë është përhapur shumë edhe media online.  Mediat u kushtojnë vëmendjen e duhur fetave fetare, ditëve të shënuara kalendarike të tyre, ku në shumicën e rasteve lajmet, kronikat, apo dhe emisionet televizive u përkushtohen datës së festës fetare. Shpeshherë vihet re nga kronikat, një informacion ipërgjithshëm rreth festave fetare, dhe jo  thelluar, sipas sociologëve, shoqërisë civile dhe nga vet ekspertë të medias.

 

Informacioni fetar në media

 

Për sociologun Gëzim Tushi, ka një diferencë të dukshme midis ontologjisë, thelbit të ngjarjeve fetare dhe fenomenologjisë së pasqyrimit mediatik, i cili shpesh bëhet në mënyrë rutinore, apo sa për të kaluar detyrimin e komemoracionit televiziv. I pyetur nga “Vizion.com.al”, zoti Tushi thotë shumë kronika janë të zbrazëta, pa esencën e duhur.

Drejtori i Institutit të Çështjeve Kombëtare, Kastriot Frashëri thekson se problem mbetet përdorimi i këtyre festive fetare nga biznesi të cilët përmes reklamave të tyre televizive kërkojnë të shfrytëzojnë këtë rast për të rritur fitimet e tyre duke dhënë mesazhe religjioze të njëanshme.

 

E pyetur nga Portali “Vizion.com.al” Valbona Mezini, eksperte e medias thotë se konstatohet se perceptimi që mbizotëron tek shqiptarët që praktikojnë fenë lidhet në më të shumtën e rasteve me interesa të lidhura drejtëpërdrejtë ekonomikë, por jo nga një proçes i brendshëm ndiçues e misionar.

 

Media përqëndrohet tek deklaratat dhe vizitat e politikanëve në kultet fetare

Në një mënyrë stereotipike, pothuaj të gjitha mediat kryesore, i kushtojnë një vëmendje të madhe pjesëmarrjes dhe deklaratave në këto ceremoni të drejtuesve kryesorë të politikës dhe të shtetit, duke I intervistuar rregullisht ata në momentet që dalin nga ceremonitë. Kamerat apo mikrofonët e gazetarëve, në

vend që të drejtohen në këto ditë nga besimtarët dhe klerikët, vijojnë që me forcën e zakonit të mediave të politizuara deri në palcë të drejtohen nga politikanët. “Një fenomen i rëndomtë që vihet re në raportimin e mediave të aktiviteteve me bazë ose sfond fetar është se përqendrohen vetëm në vlerësimet dhe komentet e politikanëve dhe të qeveritarëve, duke shmangur në jo pak raste tërësisht fetarët dhe mendimin e tyre”– thotë përfaqësuesi i fesë ortodokse, Andon Merdani.

(Shqiptarja.com) Ja kur fillon muaji i Ramazanit, ky është kalendari i agjërimit sipas orëve

(Nwesbomb.al)Muaji i Ramazanit, Veliaj shtron Iftar për besimtarët myslimanë

(RTSH)Muaji i Ramazanit, Ruçi: Të bashkuar për fatet e vendit e të kombit, si qëllimi suprem i të gjithë shqiptarëve, këtu në Shqipëri dhe në Diasporë!

(ATSH) Besimtarët katolikë e ortodoksë festojnë Krishtlindjet

(Shekulli.com.al) Pashkët, festa e të krishterëve. Ja kuriozitetet që ndoshta nuk i dini

(Balkanweb.com) Kremtohen Pashkët Ortodokse, politika uron. Nishani: Drejtësi e barazi për të gjithë!

(Top-Channel)Festa në familjet me dy fe/ Harmonia fetare, të krishterë e myslimanë festojnë së bashku

 

Duke lexuar artikujt për disa nga festat fetare, shikojmë se ka pasqyrime të festimeve, përcillen mesazhe nga krerët e komuniteteve fetare, si dhe nga politikanë. Gjatë këtyre festimeve mediat përcjellin dhe kuriozitete dhe pak histori për këto festa. Por nuk gjejmë në median shqiptare artikuj me informacion të thelluar, të plotë, apo të shtjelluar lidhur me këto festa fetare.  Rrallë herë gjejmë kronika të cilat marrin personazhe apo familje lidhur me festat fetare.

 

 

Intervistat dhe opinionet e marra nga portal “Vizion.com.al”

Sociaolugu Gëzim Tushi: Shumë kronika janë të zbrazëta, pa esencën e duhur

 

Sociologu Gezim Tushi

Për sociologun Gëzim Tushi, ka një diferencë të dukshme midis ontologjisë, thelbit të ngjarjeve fetare dhe fenomenologjisë së pasqyrimit mediatik, i cili shpesh bëhet në mënyrë rutinore, apo sa për të kaluar detyrimin e komemoracionit televiziv. Sipas tij, shumë kronika janë të zbrazëta, pa esencën e duhur. “Festat fetare janë nga ritualet sociale që kanë peshë publike dhe efekt social. Jo vetem tek besimtarët respektivë por me impakt më të gjerë. Besoj se ka një diferencë të dukshme midis ontologjisë, thelbit të ngjarjeve fetare dhe fenomenologjisë së pasqyrimit mediatik, i cili shpesh bëhet në mënyrë rutinore, apo sa për të kaluar detyrimin e komemoracionit televiziv. Shumë kronika janë të zbrazëta, pa esencën e duhur. Këtu kanë ndikimin e tyre disa faktorë. Së pari akoma ka ndikim shkretëtira ateiste gjysëm shekullore që u mundua të rrafshoj çdo besim dhe të shkulte nga rrënjet doktrinat fetare. Kjo ndjenjë shfaqet akoma në formën e një skepticizmi tek shumë njerëz që kanë të drejtën e tyre të jenë laik apo pse jo edhe ateistë. Së dyti gazetarët që bëjnë pasqyrimin e ngjarjeve fetare ndikohen nga raportet personale që kanë me besimet fetare ose nga kultura e mangët teologjike e tyre. Duhet një rishikim i moduleve mediatike të pasqyrimit të festave fetare, sepse feja është mbase nga më kryesorët që mund të ndikojë në formimin e strukturës shpirtërore dhe sjelljes humane tek njerëzit, të cilët janë të çoroditur dhe shpesh enden në terrenin turbo kapitalist të postmodernitetit pa piketa të sigurta orientimi. Por media duhet të sjellë lëngun, limfën e vërtetë pozitive të këtyre ngjarjeve dhe sidomos të reflektojë më thellë domethenien e tyre humane, sociale, qytetare dhe qytetëruese”-shprehet Gëzim Tushi.

 

Frashëri: Përdorimi i festive fetare nga biznesi krijon pabarazi përmes komuniteteve

Drejtori i Institutit të Çështjeve Kombëtare, Kastriot Frashëri thotë se problem mbetet përdorimi i këtyre festive fetare nga biznesi të cilët përmes reklamave të tyre televizive kërkojnë të shfrytëzojnë këtë rast për të rritur fitimet e tyre duke dhënë mesazhe religjioze të njëanshme. “Përveç kësaj kjo krijon pabarazi përmes komuniteteve të tjera të cilët festat fetare i kanë më të shkurtra sesa një besim tjetër, ku p.sh. njëri prej tyre Ramazanin e ka një muaj dhe tjetri Krishtlindjen dy ditë. Duke u bombarduar nga këto reklama dhjetëra herë në ditë nga TV të krijohet ndjesia se jeton në një republikë që është e ndryshme nga ajo e vendit tend”-thotë Frashëri në intervistën për portalin “Vizion.com.al”

Kastriot Frasheri, Drejtori i Institutit të Çështjeve Kombëtare

Zoti Frashëri, në këndvështimin tuaj, si një person që keni trajtuar ndër vite problemet e shoqërisë shqiptare, do të dëshiroja të kisha opinionin tuaj, si i raporton media në vend festat fetare?

 

Së pari, ju përgëzoj që keni hapur një debat për të cilin kam pritur prej disa vitesh që duhej nisur nga vetë komuniteti i medias përsa kjo çështje ka për aktor pushtetin e katërt. Personalisht asnjëherë nuk kam qenë dakord, madje jam ndjerë i bezdisur nga mënyra e tepruar dhe aspak profesionale se si është pasqyruar për publikun një festë fetare në Shqipëri nga shumica e mediave kryesore shqiptare. Po ti referohemi viteve të fundit, gjatë së cilës po shohim përherë dhe më shumë hapësirë mediatike që nuk njeh limite nëpër ekranet tona të shumta, personalisht kam qenë kritik në rrjetetet sociale mbi këtë fenomen teksa p.sh. kam qenë në shtëpi në një ditë pushimi të një feste fetare dhe kam parë që shumica e televizioneve i kanë kushtuar asaj rreth 70% të kohës së një prej edicioneve qëndrore të lajmeve, madje më keq akoma duke proklamuar me pathos se si është festuar kjo lloj feste jo vetëm në territorin e vendit tonë por edhe në hapësirën jashtë kufijve duke cënuar ndjenjat e të tjerëve qofshin këta besimtarë apo jo besimtarë. Kjo dukuri televizive, pa dashur të cënoj ndjenjat e askujt, ka spikatur më shumë për festat e traditës myslimane. Kjo është paradoksale nisur nga fakti që Shqipëria prej 30 vjet aspiron me ngulm të antarësohet në BE nga ana tjetër paraqet një panoranë tjetër të brendshme që të jep imazhin e një shoqërie turko-arabe që nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat europiane. Në një realitetet të tillë, duket që media jonë për shkak të mungesës së theksuar të profesionalizmit përsa nuk kemi parë asnjë përpjekje për vetëkorrigjim mendoj se ka rënë viktimë e islamit politik. E theksoj këtë, jo vetëm në cilësinë e një intelektuali të çliruar nga mitet, por dhe të një mbrojtësi të fortë të interesit kombëtar, pasi nuk mund të them se ajo është bërë palë me këtë rymë që kërkon me çdo kusht këto vitetet e fundit të depërtojë me të gjitha format në shoqëritë perëndimore. Dihet se secularizmi është parimi i ndarjes së shtetit nga institucionet fetare. Shqipëria, si një vend jo vetëm me popullsi multi religjioze, por më shumë si një shoqëri dominante ateiste, ndonëse formalisht duket se e respekton këtë parim kushtetues. Sekularizmi nuk do të thotë diskriminim ndaj askujt në emër të fesë. Me sa duket këtë boshllëk kërkon ta mbushin të gjitha qeveritë tona pasi siç është provuar ndër vite, një festë fetare është ndjerë apo ka shkëlqyer vetëm nga prania e tyre dhe e kamerave televizive në selitë e besimeve fetare. Nëse ata nuk shkojnë askush nuk e di nëse ka patur një festë të tillë. Kjo u provua këto dy -tre vitet e fundit ku një pjesë e politikanëve të rangjeve tona të larta për arsye të tyre nuk kryen vizita në selitë e tyre. Kjo nuk ndodh në asnjë vend tjetër ku politika të prodhojë edhe besimin!

 

 

 

Këto festa dhe kuptimin apo dhe mesazhin që kanë, a mendoni se jepen në mënyrë sipërfaqësore apo të thelluara?

 

Me shtimin e kanaleve televizive në Shqipëri, llojit të emisioneve të tyre, por edhe të numrit të mediave të shkruara edhe online sigurisht që shumica e tyre për të mbushur kohën televizive, hapësirat e tyre, por ndonjëherë dhe për të bërë lajm nuk mund të them se nuk i kanë trajtuar këto festa, por edhe si një rast për të mos u humbur. Nga sa i kam ndjekur, një pjesë prej tyre, pasi të jem i sinqertë nuk është se i kam ndjekur të gjitha, kjo edhe për shkak të nivelit tejet të dobët të paneleve, përmes mungesës së përfaqësimit apo të ftuarve,  jam i bindur se këto tema nuk janë trajtuar në mënyrë sipërfaqësore madje me tepri. Nga ana tjetër është po aq shqetësues fakti mbi qëndrimin tejet indiferent që ka mbajtur media ndaj shfaqes publike të herë pas hershme të disa predikuesve fetarë të cilët përmes predikimeve të tyre arkaike kanë cënuar rëndë parimet dhe themelet e një shoqërie moderne dhe të shtetit të së drejtës për ti zëvendësuar ato me normat e sheriatit që zbatohen në disa vende arabe. Fakti që po trajtoj më shumë shfaqen e jashtme të islamit në shoqërinë shqiptare dhe problematikën që mbart nuk është islamofobi, por shfaqe e kësaj problematike që ka ardhur vetëm nga ky komunitet dhe jo nga besime të tjera fetare që gjenden me shumicë në vend.

 

 

 

Nga sa keni ndjekur ju lajme në TV, gazeta, radio dhe në median online, a e keni marë informacionin e duhur për këto festa. Keni parë në media ndonjë personazh, apo reportazh?

 

E theksova dhe në fillim që Shqipëria ka qenë e hapur ndaj të gjitha besimeve fetare dhe predikimet e tyre. Të gjitha këto besime përmes organizatave apo krerëve të tyre kanë patur mundësinë të përcjellin lirshëm përmes mediave në shoqërinë shqiptare mesazhet e tyre religjoze sidomos në festat fetare. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Por problem mendoj se mbetet përdorimi i këtyre festive fetare nga biznesi të cilët përmes reklamave të tyre televizive kërkojnë të shfrytëzojnë këtë rast për të rritur fitimet e tyre duke dhënë mesazhe religjioze të njëanshme. Përveç kësaj kjo krijon pabarazi përmes komuniteteve të tjera të cilët festat fetare i kanë më të shkurtra sesa një besim tjetër, ku p.sh. njëri prej tyre Ramazanin e ka një muaj dhe tjetri Krishtlindjen dy ditë. Duke u bombarduar nga këto reklama dhjetëra herë në ditë nga TV të krijohet ndjesia se jeton në një republikë që është e ndryshme nga ajo e vendit tënd.

 

Po ashtu, kam vërejtur këto vitet e tjera një fenomen tjetër shqetësues i cili nuk po ndodh vetëm në Shqipër, por edhe në disa vende të tjera fakti që nga këto media përmes reklamave, mesazheve apo urimeve nuk i jepet i njëjti konotacion festës së komunitetit tjetër siç janë Krishtlindjet dhe Viti i Ri, si festa popullore, meqënëse thuhet se nuk preferohen nga komuniteti mysliman. Kjo politike mediatike është qartësisht e lexueshme jo vetëm këtu, por edhe në disa vende të tjera ku reklamat apo urimet për këtë rast mjaftohen vetëm me “Gëzuar Festat! Personalisht këtë dukuri, sapo jam bindur se nuk është e rastësishme pasi kaloi një vit, e kam trajtuar me disa prej drejtuesve të këtyre mediave që këto reklama me mesazhe duhet të jenë qartësisht të identifikueshme për ngjarjen në fjalë dhe jo të jenë të përgjithshme, më janë përgjigjur që kjo është një reklamë dhe ne nuk kemi se çfarë të bëjmë, por pa më informuar më shumë për autorësinë apo burimin e përgatitjes së tyre. Mendoni pak, nëse kjo situatë do të vijojë për vite të tëra të paraqitetet e deformuar në media, jo vetëm brezat e ardhshëm, por edhe asnjë studiues nuk do të gjejë asnjë gjurmë në arkiva mbi ekzistencën e krishtlindjeve apo të vitit të ri, jo më për atmosferën e festimit të tyre?! Çdo kush ka botëkuptimin e vet mbi besimin e tij, por është mirë që e vërteta të mos paragjykohet asnjëherë.

 

Valbona Mezini, eksperte e medias

Mezini: Misioni i medias për të përcjellë të vërtetën ka qenë i mangët dhe shpesh herë i çensuruar

 

Shqipëria njihet si vend multi fetar, që gëzon harmoni në bashkëjetësën e të gjitha besimeve. Por shumica e shqiptarëve bëjnë një jetë laike që do të thotë se feja nuk ka rëndësi për ta kjo e trashëguar nga komunizmi që privoi forcërisht besimin fetar tek individi dhe familja shqiptare. Shqiptarët kanë pak ose aspak informacion për fenë madje aspak njohur rreth saj dhe të vërtetës që feja përmban në thelb. Këtu fillon gjithë rrokopuja e organizimit administrativ e ligjor të vendit dhe politikës në Shqipëri, tek mos njohja e të vërtetës dhe si rezultat i saj, derivimi i nevojës në organizim social.

Media në gjithë këto zhvillime ka qenë një pasqyruese e anakronike e festave fetare të cilat më shumë se informacion mbi fenë dhe besimin, janë aktivitete me karakter social argëtues. Të kornizuara në këtë këndvështrim misioni i medias për të përcjellë të vërtetën ka qenë i mangët dhe shpesh herë i çensuruar. Mendoj se mediat nuk kanë profesionistë të iluminuar të ndërgjegjësimit të masave, pasi po të kish të tillë nuk do të kish më korrupsion, krim dhe trafiqe të të gjitha llojeve të cilat janë karakteristikë e këtij rendi shoqëror që i mban njerëzit në errësirën e të vërtetës.

Mediat janë të kapura nga oligarkë dhe në më të shumtën e rasteve ata u shërbejnë me hapësirë kohore burimeve të financimit, të cilat nuk janë në interesat e të vërtetës pra edukimit fetar dhe të vërtetës.

Konstatohet se perceptimi që mbizotëron tek shqiptarët që praktikojnë fenë lidhet në më të shumtën e rasteve me interesa të lidhura drejtëpërdrejtë ekonomikë, por jo nga një proçes i brendshëm ndiçues e misionar.