Pak e dinë, por Buffon ka qenë në Shqipëri 22 vjet më...

Pak e dinë, por Buffon ka qenë në Shqipëri 22 vjet më parë

419
0

Kapiteni dhe portieri legjendar i Italisë, Gianluigi Buffon, është në qendër të vëmendjes së mediave këto ditë në Shqipëri. Sot, Kombëtarja shqiptare luan me Italinë në “Loro Boriçi” në ndeshjen e fundit të kualifikueseve evropiane për eliminatoret e Botërorit dhe sigurisht që nga kampi kundërshtar, Buffon është një nga futbollistët më të njohur për tifozët shqiptarë që e kanë ndjekur në vite Italinë.

Italianët kanë mbërritur në Shkodër dhe Buffon ka qenë i pranishëm dhe në konferencën për shtyp pranë trajnerit të të kaltërve, Gian Piero Ventura.

Ai ka thënë që e njeh dhe e vlerëson Shqipërinë duke zbuluar edhe herën e parë që ka qenë këtu. Ndoshta tifozët e zjarrtë me një kujtesë të hekurt e dinë këtë fakt, por për shumë të tjerë, më të rinj në moshë, është një surprizë.

“Kam qenë 22 vite më parë në shqipëri në ndeshjen me Teutën”, ka thënë Buffon duke shtuar që Shqipëria ka bërë shumë hapa para.Buffon ka qenë në Shqipëri për ndeshjen Teuta-Parma në vitin 1995, kur luante me Parmën. Kështu është kur ke një karrierë kaq të gjatë. Mund të dëshmosh ndryshimet e mëdha të vendeve, ndërsa vazhdon e viziton si lojëtar.