Një zemër e ndjeshme gruaje kërkon të shërojë plagët e Shqipërisë/ Nga...

Një zemër e ndjeshme gruaje kërkon të shërojë plagët e Shqipërisë/ Nga Nuri Dragoj

34
0

Situata rëndohej në mënyrë të pakuptueshme. Gjatë muajit qershor 1914, skulptori austriak Gurschner dhe arkitekti Wirth u bënin apel bashkëqytetarëve në Vjenë për t’u regjistruar si vullnetarë. Kërkohej të shkonin të shërbenin në Shqipëri, në ndihmë të Princit shqiptar. Vetëm gjatë një jave në studiot e tyre u regjistruan tre mijë vullnetarë, ku përfshiheshin edhe disa oficerë. Pranoheshin vetëm ata që kishin kryer shërbimin ushtarak.

 

400 vullnetarë të huaj, në Triste, të gatshëm për të mbrojtur Widin

Shtypi e kishte përshëndetur një nismë të tillë, duke u shprehur se Austria nuk mund të lejonte që Shqipëria të copëtohej e të ndahej pa shkrehur pushkë në mbrojtje të saj. Por Italia e shihte me dyshim këtë iniciativë austriake. Ambasadori italian në Vjenë i kishte thënë ambasadorit anglez, se e shihte këtë lëvizje si një kundërshtim të hapur të marrëveshjes që ekzistonte mes Italisë dhe Austro – Hungarisë”. Madje, Konti Berchtold, të cilin e kishte takuar para pak ditëve nuk ia kishte përmendur fare këtë alternativë. Ai vet nuk kishte ndërmend ta pyeste për këtë gjë. Por mbërritja e një turme të çrregullt vullnetarësh austriakë në Durrës, mund të shkaktonte ndonjë konflikt. Njëkohësisht shprehte dyshimin për lejimin e një ekspedite të tillë. Por pasi kishim mbërritur në Trieste 400 vullnetarë, shumica të huaj, deklaronin se kishin vendosur të shkonin në Shqipëri me shpenzimet e tyre.

 

Terwin  regjistron emrin si vullnetare

Regjistrimi në Vjenë vazhdonte. Qindra njerëz po shtyheshin për të shënuar emrin në listën e rekrutimit për t’u nisur drejt Shqipërisë. Ndërkaq, Italia dhe Austria miratuan kërkesën e Princ Widit për tre batalione rumune për të garantuar ruajtjen e rendit në Durrës.

Në një prej atyre ditëve, te dera e studios së skulptorit kishte mbërritur një grua. Ajo kishte filluar prej kohësh të njihej në skenën teatrale të Vjenës. Zonja kishte zënë gati gjithë hapësirën e derës dhe drita që mbetej për të hyrë brenda saj ishte e paktë. Skulptori u ngrit në këmbë dhe i dha dorën. Ishte hera e parë gjatë atyre ditëve që aty hynte një grua e vetme dhe e pashoqëruar nga askush. Ndërkaq, arkitekti vuri binoklet e xhamta për të parë më mirë. “Quhem Johana Terëin. Jam aktore, – tha ajo, duke u dhënë dorën. Pastaj qëndroi në pritje të reagimit të tyre. “Urdhëroni, – i tha skulptori, duke menduar që patjetër mund të ishte bërë ndonjë gabim. Këtu ndajmë pozicionet e luftimit dhe jo rolet për aktoret”. Arkitekti bëri një shenjë që i la të kuptohej se skulptori ishte nxituar. “Urdhëroni zonjë, flisni ju lutem”, – përsëriti arkitekti. “Dua të bëj një regjistrim si vullnetare për në Shqipëri” – tha ajo. “Me siguri është ndonjë keqkuptim, – nxitoi përsëri skulptori. Ne nuk pranojmë gra vullnetare, por vetëm meshkuj. Madje ata që kanë kryer shërbimin ushtarak”.

Aktorja tundi kokën. Ajo kishte 3- 4 vjet që bashkëjetonte me Aleksandër Moisiun dhe ia njihte dobësitë e tij për Shqipërinë. Ishte vendi që ai dashuronte më shumë. Biseda e një nate më parë me të shoqin kishte qenë pikërisht për këtë regjistrim vullnetarësh. :Dakord, – tha aktorja, – dua të regjistroj burrin tim. Quhet Aleksandër Moisiu. Ai i plotëson të gjitha kushtet. Veç kësaj është me origjinë shqiptare”.

Skulptori uli kokën. Ai e njihte prej kohësh famën e Aleksandër Moisiut dhe nuk do të dëshironte që në listën e tij të vullnetarëve të futeshin emra aktorësh. Sepse, kjo nismë, vërtetë mund të dukej si teatër, por fundin askush nuk mund ta parashikonte. Prandaj iu përgjigj: “I thuaj Aleksandrit të vazhdojë të shkëlqejë si më parë, sepse emri i tij ka shkuar deri në Amerikë. Madje deri në fund të botës. Por këtu, në listën tonë, nuk mund ta regjistrojmë”. “Përse”? – pyeti Terwin e shqetësuar seriozisht nga ky mospranim. “Aleksandri është shëndetlig dhe mund të mos i përballojë dot rreziqet e luftës. Atje njerëzit po shkojnë për të fituar, por edhe mund të vdesin. Do të jetë një front i rregullt kundër serbëve, malazezëve e grekëve. Ndoshta edhe kundër rusëve apo francezëve. Askush nuk ka ndërmend të mbajë në kurriz apo të transportojë aktorë të brishtë, që mund t’u bjerë të fikët nga zhurma e një bombe” – tha qetësisht ai. “Aleksandri nuk është nga ata që mund t’i bjerë të fikët nga bombardimet, – ndërhyri Terwin. Sapo ju thashë që është shqiptar. Kjo mjafton për ta kuptuar që është stoik. Ai popull është rritur mes vuajtjeve. Shkruaje në listë”! – tha aktorja me një ton urdhërues. Por skulptori mohoi duke thënë një “jo” të prerë.

Aktorja nxori nga xhepi një bllok dhe një laps dhe iu drejtua skulptorit: “Atëherë, më jepni emrin tuaj, meqënëse refuzoni të shkruani emrat e vullnetarëve. Do t’ju padis në Ministrinë e Luftës”. Skulptori kryqëzoi duart dhe u kthye nga arkitekti sikur donte t’i thoshte: “Ç’më gjeti me këtë”! Atëherë, arkitekti mori një fletore tjetër në dorë dhe shkroi emrin: Aleksandër Moisiu.  “E shkrova, – tha ai, – ju faleminderit për mundimin tuaj”!

Aktorja tundi kokën e bindur që ata po e gënjenin. Por nuk mund të bënte më shumë. Si pa dashur belbëzoi fjalët: “Askujt nuk i dhemb më shumë Shqipëria, se sa Aleksandrit”. Nga ana tjetër, me reflekset e një artisteje, ajo e kishte kuptuar se këto lista mund të shërbenin formalisht për të mbështetur pavarësinë e Shqipërisë apo Princin e shqiptarëve. Pesha u mbetej politikanëve, e sidomos popullit shqiptar dhe ushtarakëve me përvojë të luftës.

 

Moisiu, me dy pasaporta shqiptare

 

Aleksander Moisiu me bashkeshorten, Johana Tervin

Kur mori vesh se Widi do të caktohej si princ i shqiptarëve, Aleksandër Moisiu i kërkoi atij një takim të shkurtër. Por takimi nuk u realizua për faktin se ishte i zënë me prova natë e ditë. Megjithatë, e njoftoi Princ Widin, që sapo të vihej në krye të shtetit shqiptar, ai do t’i kërkonte një nder. Bëhej fjalë për një pasaportë shqiptare që të vërtetonte identitetin e tij.

Princ Widi e çoi në vend porosinë e aktorit të madh, duke i siguruar një dokument identifikimi shqiptar. Kjo vërtetohet nga fakti që 3 vjet më vonë, në një intervistë për gazetën gjermane, ku foli edhe për origjinën e tij, Moisiu shprehej: “Unë jam shqiptar dhe jam i pajisur me një pasaportë të rregullt shqiptare nga qeveria e Princ Widit”.

Si duket pasaporta e Wid-it mund të këtë dalë të pavlefshme, pasi kohët e fundit është zbuluar një dokument i panjohur më parë, për një pajisje tjetër të Aleksandër Moisiut dhe Johana Terwin me një pasaportë tjetër në vitin 1933.

Ja dokumenti:

Musa Juka, në vitin 1933, kohë kur ishte ministër i Punëve të Brendshme, i ka propozuar Kryeministrisë të plotësohej kërkesa që Aleksandër Moisiu kishte bërë në Vjenë, për t’iu dhënë nënshtetësia shqiptare. Musa Juka shpjegonte se Aleksandër Moisiu i përket racës shqiptare. Familja e tij qe shpërngulur prej Kavajës…Duke marrë në konsideratë profesionin e tij dramaturg, që mund t’i vlejë historisë së kombit tonë, propozojmë që Këshilli i Ministrave të pranojë regjistrimin e tij, bashkë me gruan e vet, në shtetësinë e racës së vet, me banim definitiv në Kavajë, me lutje që pasi të merret në studim, “të shihet mundësia që të parashtrohet për dekret Mbretnuer në bazë të Art. 9 të Kodit Civil, tue ju akordue shtetësia shqiptare dy artistave të përmëndun me rëndësi, njani prej të cilëve i racës sonë shqiptare”.

Këshilli Ministrave më datën 26 shkurt 1934, mori vendimin nr. 91, ku thuhej: “Këshilli Ministruer në mbledhjen e tij të sotshme, të mbajtur nën kryesinë e z. Pandeli Evangjeli, kryeministër, me anëtarë z. Vasil Avrami, ministër i Drejtësisë; Xhafer Vila, ministri Punëve të Jashtme; Musa Juka, ministri Punëve të Mbrendshme e zëvendësministër i Ekonomisë Kombëtare; Abdurrahman Dibra, ministri i Financavet; Dr. Mirash Ivanaj, ministri i Arsimit; Sandër Saraçi, ministri i P. Botore, shqyrtoi propozimin e Ministrisë së P. Mbrendshme  dhe të Ministrisë së P. të Jashtme. Meqenëse z. Aleksander Moissi, tash shtetas gjerman, me banim në Svicer, nuk e ka mohuar kurrë kombësinë e tij shqiptare, “tue marrë parasysh edhe shërbimet e shumta qi i ka ba vendit t’onë në shtetet më të mëdhaja të botës, me profesionin e tij si dramatist me famë, mbi kërkesën e bame prej, në bazë t’Art. 9 të Kodit Civil, t’i akordohet shtetësija shqiptare, bashkë me zonjën e tij Giovanna Moissi-Terwin, artiste edhe kjo, me origjinë gjermane dhe lindur në Munchen më 18.III.1884”.

Kryeministria ia parashtroi çështjen për dekretim Nalt-Madhënisë së Tij Mbretit. Në datën 14 mars 1934, Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve “Mbi propozimin e bamun me shkresën nr.1732 ex. 33, datë 28 shkurt 1934 të Kryeministries”, dekreton “Aprovimin e vendimit të sipërpërmendun, nr.91, datë 26 shkurt 1934, të Këshillit Ministruer dhe urdhnon zbatimin e tij”. Ky dokument është nënshkruar nga Mbreti ZOG d.v.; kryeministri, ministri P. Jashtme dhe ministri P. Mbrendshme (Musa Juka.d.v.).

Në fund të letërkëmbimit ekziston edhe dokumenti që i takon datës 19 mars 1934, i cili ka këtë përmbajtje: “Kemi nderin me ju parashtrue se vendimi i P.T. Këshillit Ministruer nr.91, datë 26 shkurt 1934, i dekretuem prej Nalt Madhënis së Tij Mbretit, u transkriptue në Bashkinë e Kavajës, në datën 28 mars 1934”.

 

Mungesa e një shteti serioz shqiptar, dhimbje për artistin e madh  

 

Aleksandër Moisiu ishte një artist shqiptar i njohur në të gjitha kontinentet. Rolet e tij dramatike kanë befasuar publikun artdashës të asaj kohe. Ai ka luajtur në dhjetëra skena botërore, në Austri, Gjermani, Turqi, Amerikë, Zvicer, Norvegji, etj. Ka patur rolet më të spikatura të dramaturgjisë botërore. Por Moisiu ka përjetuar qysh në fëmijëri traumën e identitetit të tij. Sepse atë e quanin “njeri pa atdhe”. Disa i thoshin çifut, të tjerë e quanin italian. Një pjesë e konsideronin pa shtetësi të përcaktuar.

Ky qëndrim ishte kthyer te ai në një lloj kompleksi inferioriteti që e mundonte vazhdimisht. Gjatë viteve 1889 – 1891, aktori shqiptar kishte arritur të sensibilizonte gjithë botën intelektuale me zërin dhe talentin e tij të mrekullueshëm. Por drama e mosnjohjes së identitetit të tij shqiptar, ishte më tronditësja. Në atë kohë, të thoshe publikisht, në mes të Europës, që “jam shqiptar”, konsiderohej si një lloj inferioriteti. Aleksandër Moisiu e deklaroi këtë me qindra herë. Madje në intervistat gazetareske publikoi origjinën e vetë, gati me krenari.  Fliste për parardhësit e vetë, për babain që kishte vdekur në vtin 1898.

Në vitet 1912 – 1913, Moisiu po korrte sukses të jashtëzakonshëm me dramën “Fedja”. Në mars 1913, kur Rusia po luante rol denigrues ndaj kombit shqiptar, me ndikim mbi Konferencën e Londrës, Moisiu shkoi në Petërburg për të luajtur rolin kryesor të Fedjas së Tolstoit, me të cilën demaskonte botën e vjetër. Pas dramës, duartrokitjet e gjata të spektatorëve e mbajtën aktorin për disa minuta në skenë. I dhuruan shumë buzëqeshje dhe tufa me lule shumëngjyrëshe. Ishte turneu i parë i tij në Rusi.

Në një paradite do ta ftonte një zyrtar i Ministrisë së Kulturës. Dëshironte t’i jepte një dhuratë. Sapo u takua me të, ai do ta pyeste për origjinën. “Jam shqiptar”, – tha thjesht Moisiu. Zyrtari rus ngriu dhe nuk bëri asnjë lëvizje. Por pas pak i tha: “Shqipëria nuk është akoma shtet dhe nuk dihet çfarë do të jetë”. “E kini gabim, – iu përgjigj Moisiu. Shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të botës. Unë luaj në skenat e huaja tani për tani, për shkak se atje nuk ka salla teatrosh”.

Rusi u trondit nga kjo deklaratë e guximshme. Ai kishte menduar, se në kushtet kur shteti shqiptar ishte në koma, çdo artist apo nënshtetas i shquar europian, do ta fshihte origjinën e tij shqiptare për të mos humbur pikë përpara bashkëbiseduesve. Por Moisiut nuk i bëri përshtypje thartimi i dialoguesit. “Jam shqiptar – tha prapë ai dhe shtoi: Sapo të sanksionohet shteti ligjor do të shkoj në Shqipëri për të marrë pasaportën shqiptare. Atje kam shtëpinë e babait dhe disa nga motrat e mia”.

Kjo mënyrë të foluri u bëri përshtypje edhe të tjerëve që asistuan në atë bisedë. Ndoshta ata do të donin të besonin ose të paktën gjer atëherë kishin besuar se asnjë shqiptar nuk ishte i denjë për të qenë aq i famshëm nëpër botë. “Njet, njet – i tha bashkëshortja e zyrtarit. Ti nuk je shqiptar dhe nuk ka se si të jesh shqiptar”.

Moisiu i hodhi një vështrim që tregonte keqardhje për keqkuptmin e krijuar. Ajo uli kokën. Biseda e u mbyll me kaq. Por ky stres që provonte aktori për shkak të përkatësisë etnike, nga mungesa e një shteti serioz të shqiptarëve, e detyronte atë të ishte vazhdimisht në korrent me ngjarjet që ndodhnin në Shqipëri.

 

Plagë që nxirin gjak, kujt nuk i vinte keq!

Mesi i vitit 1914 shënonte ngjarje të rënda për Shqipërinë, ishte firmosur marrëveshja famëkeqe e Korfuzit, por që nuk po zbatohej, pasi grekët ishin sulur drejtë Shqipërisë. Në Veri luginën e Vermoshit e kërkonin malazezët. Ata donin  të merrnin gjithë bregun e detit të Bunës, kundrejt çdo sakrifice. Në këtë kakofoni ngjarjesh, qeveria greke nxori një vendim për dëbimin e 10 mijë refugjatëve shqiptarë të besimit mysliman, të cilët kishin kërkuar strehim si refugjatë pas sulmeve nga bandat epirote. Ndërsa fqinjët ballkanikë përvetësuan territore të mëdha nga kufijtë shqiptarë. Serbia përfitoi rajonet e Pirotit, Vrajës, Nishit e Toplicës, ndërsa Mali i Zi, i cili fitoi për herë të parë dhe pavarësinë, përfitoi krahinat e Nikshiqit, Kollashinit, Spuzhit, Podgoricën, Zhabjakun, Tivarin, Plavën dhe Gucinë. Pas rezistencës së madhe shqiptare, në vend të Plavës dhe Gucisë, Berlini do t’i jepte Malit të Zi gjithë trevën e Ulqinit. Konferenca e Londrës institucionalizoi krimin ballkanik kundër Shqipërisë dhe shkëputi nga trualli mëmë krahina të tëra, qytete e fshatra, fusha e kodrina, pjesë të deteve dhe liqeneve, që kishin qenë tradicionalisht shqiptare, qysh prej shumë shekujsh. Kjo padrejtësi historike nxori jashtë hartës së Shqipërisë, Prishtinën, Gjakovën, Prizrenin dhe krejt Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit, Ulqinin, një pjesë të zonave të Vermoshit, Plavën e Gucinë, Shkupin, Tetovën, Janinën, Prevezën, Çamërinë, një pjesë të Liqenit të Pogradecit, një pjesë të Liqenit të Shkodrës, e kështu me radhë.  Ka 100 vjet që kombi shqiptar lëngon pasojat e kësaj pabesie, duke u përpjekur vazhdimisht të ndreqë diçka nga vendimet tinëzare të asaj masakre.