Moti i keq/ Policia kalon në gatishmëri të përforcuar

Moti i keq/ Policia kalon në gatishmëri të përforcuar

17
0

Nga dita e djeshme, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të përforcuar, ndërsa forcat speciale janë shpërndarë në zonat më të rrezikuara. Bëhet fjalë për masat e marra për shkak të reshjeve të shiut e dëborës në zonat malore. Policia e Shtetit tha sot se efektivët e policisë janë pajisur dhe me gomone për ti ardhur në ndihmë banorëve.

 

Njoftimi i policisë për ngjarjen:

 

Policia e Shtetit prej ditës së djeshme ka kaluar në gatishmëri të përforcuar. Në të gjitha qarqet shërbimet e Policisë janë angazhuar në ndihmë të banorëve ku është kërkuar ndihmë. Në Fier, Vlorë e Shkodër janë dërguar grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcë.

 

Në Ferras e Novoselë ndodhen 2 njësi të FNSH- së Fier dhe 2 njësi të Deltës me makina me kalueshmëri të lartë dhe varka e gomone.

 

Në fshatin Theth Shkodër është kërkuar ndihmë për ta transportuar drejt spitalit Shkodër një shtetase të huaj e cila ka shfaqur probleme shëndetësore. Janë dërguar shërbimet e Policisë me mjet policie të larte dhe mjekun e zonës.

 

Shërbimet e Policisë në Gjirokastër gjatë mbrëmjes janë angazhuar në evakuimin e banorëve të një pallati ku ka pasur shkarje dheu dhe rrezikohej pallati.

 

Në të gjitha akset rrugore Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të orientuar e ndihmuar drejtuesit e mjeteve për shkak të prezencës së ujit në rrugë apo të dëborës në zonat e thella.

 

Patrullat e Përgjithshme në të gjithë territorin janë në patrullim të pandërprere duke ju ardhur në ndihmë disa banorëve në qytete të ndryshme e fshatra që kanë kërkuar ndihmën e Policisë.

 

Në të gjitha Sallat Operative të Policisë është përforcuar shërbimi duke iu përgjigjur në kohë reale çdo telefonate të ardhur nga banorët në zona të ndryshme.

 

Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë duke bashkëpunuar e koordinuar veprimet me Emergjencat Civile dhe për çdo nevojë dhe ndihmë nga forcat e policisë te kontaktojnë në numrat e telefonit pa pagesë 112 e 129.

 

Gjithashtu në rast neglizhence nga punonjësit e policisë qytetarët të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 90 90 duke ju garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.