Media zvicerane zbulon prapaskenat misterioze të Kumanovës, kush e planifikoi konfliktin kundër...

Media zvicerane zbulon prapaskenat misterioze të Kumanovës, kush e planifikoi konfliktin kundër shqiptarëve?

457
0

Një grup shqiptarësh janë dënuar me burgime të gjata në Shkup. Ata kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të policisë. Ka dyshime se ndërkohë rasti është i skenuar, shkruan fillimisht prestigjiozja më e madhe zvicerane “NZZ”.  Dënimi i lartë për anëtarët e “Bandës së Kumanovës” në Maqedoni ka sjellë irritime në Kosovë. Ministria e jashtme e Kosovës në fundjavë ka thirrur për shpjegime ambasadorin e Maqedonisë. Gjykata e Maqedonisë i dënoi me 746 vjet burg grupin prej 38 anëtarësh për shkak të “aktiviteteve terroriste”. Katër anëtarë u liruan. Rreth gjysma e të paragjykuarve ishin nga Kosova, të tjerët janë shqiptarë etnikë nga Maqedonia. Protesta simpatizantësh kundër gjykimit maqedonas ka pasur në Prishtinë, Pejë dhe Gjilan. Aty është djegur flamuri maqedonas. Qeveria e Kosovës kërkon një hetim ndërkombëtar të çështjes së Kumanovës, kur në maj 2015 u vranë 18 persona – prej të cilëve tetë policë.

 

Prapaskena misterioze

 

Prapaskenat e ngjarjes janë akoma në errësirë edhe pas shpalljes së verdiktit. Në fillim të majit 2015 një grup i armatosur i shqiptarëve u vendosën në Kumanovë. I njëjti grup përpara dy javëve në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë, kishte bastisur një postë policore dhe plaçkiti armët. Kjo e fundit ndodhi pa kryengritje të forcave të sigurisë. Në 9 maj një komando speciale me autoblinda u dërgua në Kumanovë. Shpërtheu një përleshje e dhunshme. Ditën e ardhshme ishin 18 persona të vdekur, 39 të arrestuar dhe mbi një dyzinë shtëpi të pabanuara nga dëmet. Gjatë procesit një i akuzuar thoshte se kishte luftuar “kundër shtypjes të shqiptarëve në Maqedoni”. Të tjerët mendojnë se ata janë nxitur dhe mashtruar nga shërbimet sekrete maqedonase.

 

Një manovrim i rrezikshëm?

 

Dyshimet që flasin për një skenim të situatës, dolën prej ditës së nesërme të ngjarjes. Një media maqedonase pretendon se rasti është planifikuar nga shteti maqedonas sëbashku me një «spin doctor» francez. Atëkohë qeveria Gruevski ishte në presion pas skandalit të përgjimeve që tregonin paturpësinë e klientelizmit dhe korrupcionit në administratë dhe drejtësi. Lufta me shqiptarët, ishte pretendimi, që do largonte vëmendjen dhe përsëri do merrej në dorë siguria dhe rregulli. Kumanova është një qytet i përzier mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ishte mjaft e rrezikshme. Por përllogaritjet nuk dolën mirë. Menjëherë pas shokut, dolën maqedonas dhe shqiptarë që demonstronin vëllazërisht. Për shkak se të gjithë banorëve ju bë e qartë, që një përleshje e tillë nuk kishte të bëjë me përditshmërinë e tyre.

 

Nga maji i kaluar qeveria Gruevski është larg pushtetit. Ajo pjesë e sistemit të drejtësisë që ka mbetur me integritet, përballet me një mal të hetimeve dhe gjykimeve rreth trashëgimisë së vërtetë të sundimit dhjetëvjeçar të Gruevskit. Zoran Zaev, kreu i ri i qeverisë, tani dëshiron të shqyrtojë nëse procesi i Kumanovës mund të rihapet dhe lidhet me një hetim ndërkombëtar, megjithatë duhet të krijohen korniza ligjore për këtë qëllim./Bota sot