Investimi i munguar për Llixhat e Peshkopisë/ Nga Halil RAMA

Investimi i munguar për Llixhat e Peshkopisë/ Nga Halil RAMA

665
0

Qyteti i Peshkopisë, këtë fillim tetori është ndoshta ndër më të populluarit e Ballkanit. Kjo dyndje drejt qytetit verilindor, të njohur edhe si qyteti i blirëve, vjen jo vetëm nga joshja e peisazhit mahnitës që natyra i ka dhuruar Dibrës, por parasëgjithash, nga ajo pasuri e rrallë që gjendet vetëm një km në veriperëndim të tij. Kështu, në luginën e Bellovës rrëzë malit të Korabit, 1 km nga qyteti i Peshkopisë, ndodhen burimet termale. Një mrekulli natyre për efektet kurative, përdorimi i të cilave fillon që para dy shekujve. Rreth 20 mijë frekuentues për çdo vit dëshmojnë për fuqinë shëruese të këtyre ujrave që janë nga më të rrallat në botë. Dr.Mentor Prifti, i vetmi i specializuar si mjek për këtë Qendër Balneare, që shërben këtu prej 19 vitesh, flet me kompetencë e profesionalizëm për efektin e këtyre ujrave në shërimin e sëmundjeve  reumatizmale kronike, të reumatizmave degjenerative, artrozave e neuriteve periferik kronike. Por sipas tij këto ujra ndikojnë edhe në gjendjet pas frakturave traumatike, në plegjit hemiplegjit e tetraplegjit, hipertensionin arterial esencial pa insufiçencë kardiake, si dhe në disa sëmundje të aparatit tretës, si gastritet, kolitet, infeksionet kronike urinare, urolitjazat, kolelitiazat. Dhe të mendosh që llixhat e Peshkopisë kanë veti kuruese edhe për disa sëmundje gjinekologjike, si hipoplazit uteri, infeksionet kronike të uterusit, sterilitetin primar e sekondar e disa sëmndje të lëkurës, si ekzema  e mykozat e lekurës, padyshim që është mëse e justikfikueshme kjo dyndje e pacientëve nga të gjitha trevat shqiptare, që nga Gjirokastra, Vlora, Përmeti e Fieri, Kruja, Shkodra, Tropoja, Prizreni, Suhareka, Malisheva Tetova, Gostivari, Shkupi….Kësioj, në këtë qytezë në prehër të maleve, të njohur si qyteza e shërimit, gjeografia e pacientëve është nga hapësira mbarëshqiptare,

 

PAK HISTORI…

 

Viti 1870 mendohet të jetë zanafilla e përdorimit për efekt kurativ të llixhave të Peshkopisë. Ishin banorë nga komuniteti i krahinës ata që filluan t’i përdorin dhe t’i mirëmbajnë këto burime natyrore. Dibranë të shquar, me dijeni në mjekimet popullore i kanë rekomanduar për përdorim për disa semundje.

 

Kuota absolute e daljes së këtyre ujrave është 750 m/l mbi nivelin e detit. Debiti (prurja) e këtyre ujrave është 14 litra në sek.

 

Janë tre burime afër njëri – tjetrit me të njejtën përbërje dhe temperaturë që janë bashkuar dhe temperatura në ujëmledhës është 42 °C. Mineralizimi i tij është rreth 4.2 mg/ litër. Uji është i ngopur me gazin sulfhidrik  dhe ka ngyrë të kaltër me erën karakteristike të vezës së prishur.

 

Gjeologjikisht ujrat ndodhen në depozitimet gëlqerore- ranore- argjirore me moshë paleozoike. Mendohet që uji është i tipit të çarjeve karstike dhe lidhet me kontaktin tektonik midis gipseve dhe depozitimeve të sipërpërmendura.

 

Përdorimi i tyre për efekt kurativ mendohet të ketë filluar që në shekulin XVI-të dhe në fillim të këtij shekulli janë ndërtuar dy banjo kolektive me shkallë guri.

 

Rreth vitit 1928, në kohën e Mbretit  Zog I,  u ndërtua i pari hauz me mbulesë dhe fillon të përdoret me pagesë nga bashkia e qytetit. Burimi i ujit termal është ruajtur me fanatizëm nga shkatërrimi.

 

Në vitin 1952, rreth 150 metra larg burimeve të ujrave termale u ndërtuar një hotel njëkatësh me 40 shtretër dhe pranë tij 20 vaska për larje individiuale.

 

Në vitin 1953 fillon shfrytezimi shkencor dhe ndertohet i pari ambjent për larje me vaska dhe hoteli pranë tyre për të shtruar.

 

Në vitin 1974, në lagjen Dobrovë të qytetit u ndërtua një hotel me 120 shtretër dhe anekset e tij ndihmëse. Pas shtatë vitesh, më 1981, pranë vendburimit të këtyre ujrave u ndërtua Kompleksi Balnear me 44 vaska për larje individuale, një pishinë me përmasa 10 x 8 m, kabineti i baltës me 6 ambjente, përfshi dhe një vaskë riaftësimi, kabineti gjinekologjik, kabineti i fizioterapisë + fototerapisë, gjimnastikës terapeutike e masozhoterapisë me palestër.

 

Në vitin 2000 hoteli në Dobrovë privatizohet, por pranë kësaj qendre balneare rriten kapacitetet në 100 shtretër.

 

Që prej themelimit ndërmarrja ka qënë  në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Në vitin 1994 ajo kalon me veprimtari ekonomike në vete (vetëfinancim) por me kapital shtetëror dhe si e tillë vazhdon të funksionojë që prej 23 vitesh.

 

 DREJTIM VIZIONAR, ME KOMPETENCË DHE PROFESIONALIZËM

 

 “Nëse shkon në llixhat e Peshkopisë, mos rri pa u takuar me Takun”. Kjo porosi e mikut dhe kolegut të mirënjohur Defrim Methasani, ndër më të spikaturit e gazetarisë sportive në vend, pati vlerë të veçantë, pasi gjatë qëndrimit një javor në këtë qendër balneare, takimi me drejtorin e saj, Spartak Koltraka qe me të vërtetë mbresëlënës. Jo vetëm në aspektin e mirëtrajtimit, pasi këtë “status” e gëzonin pothuajse 2500 frekuentuesit ditorë të saj, por për vizionin dhe aftësitë drejtuese e organizuese që ai shfaq për këdo e më këdo. Ky i ri shembullor, që përveçse ekonomikut në Universitetin e Tiranës është diplomuar shkëlqyer edhe në të ashuquajturin “Universitet të Dibrës”, si simbol i urtësisë dhe mençurisë dibrane, gjithë potencialin e tij intelektual e njerëzor e ka vënë në funksion të ndërtimit të një qendre balneare të standardeve bashkëkohore. Nëse para pak vitesh u evidentua si drejtuesi vizionar i OSHEE, që eleminoi informalitetin në sektorin e energjisë ekektrike, duke futur në shinat e zbatimit të ligjit edhe “të fortët” e Dibrës, tashmë është fokusuar tek një tjetër projekt madhor, jetik për Dibrën dhe dibranët. Si një nga drejtuesit e fushatës elektorale të PS-së, i është “qepur” dhe s’i ndahet deputetit Beqja, deri sa të bëjë realitet Projektin “Rikonstruksioni i godinave të Qendrës Balneare (Lixha), shembja dhe ndërtimi i llixhave të vjetra, sistemimi i sheshit dhe rrethimit, asfaltimi i segmentit të rrugës pargjatë rrethimit të Llixhave”. Dhe ka besim se këtë projekt të mirëargumentuar nga ai dhe stafi i tij, do ta mbështesë ish-ministri i Shëndetësisë, tashmë përfaqësues i Dibrës në legjislativin shqiptar. Ky projekt, zbatimi i të cilit merr parasysh të gjitha masat e nevojshme për rikonstruksionin e godinave ekzistuese që janë shumë të rrënuara nga ana e finiturës, duke u konsideruar pothuajse jashtë funksionit të tyre, u prezantua dhe gjeti mbështetje, edhe nga kryebashkiaku i Dibrës, Muharrem Rama, në takimin që kryeministri Rama  pati para disa ditësh me kryetarët e të gjitha bashkive. Projekti që arrin deri një miliardë lëkë (ku të ardhurat vjetore nga rreth 20 mijë frekuentuesit arrijnë deri 2 milardë), në të vërtetë është investimi i munguar prej dy dekadash. E kanë premtuar atë qveritarë të majtë e të djathtë, kryeministra e ministra, dhjetra deputetët dibranë dhe kryebashkiakët e Peshkopisë të çerekshekullit të fundit, por vetëm tani duket se po merr drejtimin e duhur.  Kjo për faktin se llixhat, ndër resurset kryesore të Dibrës, konsiderohen si “minierë ari”, nga ku ripërtërihen qindra mijëra jetë njerëzish. Projekti i Drejtorit Koltraka, që tashmë është në zyrat e Bashkisë Dibër, por dhe të Ministrisë së Shëndetësisë e të kryeministrisë, sidhe të disa donatorëve prestigjiozë, konsiston në faktin se në këto godina duhet të futet në funksion ishina me ujë termal, si dhe organizimi i ndarjeve të hapesirave të tyre për ambjentet e administratës, të hotelerisë dhe shërbimeve për trajtime mjekësore e zgjerim të hapesirave për larje në vaska.

 

 FLUKSI I MADH I TURISTËVE KA SJELLË ZHVILLIMIN E HOTELERISË

 

Llixhat e Peshkopisë me ujin më cilësor në Ballkan, vizitohen nga 20 mijë pacientë çdo vit. Kjo ka çuar në një bum të ndërtimit të hotelerive. Dr.Mentor Prifti që e ka ndjekur nga afër këtë zhvillim progresiv gjatë këtyre dy dekadave të fundit, tregon fluksin e madh të turistëve që ka sjellë zhvillimin e hotelerisë. “Pacientët që frekuentojnë llixhat e Peshkopisë dhe shtrohen tani nuk janë me planifikim si dikur. Kjo për shkak të rritjes të kapaciteteve të hotelerive, por ne u  rekomandojmë dhe është mirë që para nisjes të konsultohen me mjekët e vetë në zonat nga vijnë për sëmundjen që do kurohen“,-shprehet dr.Mentori. Ai bën të ditur se kapacitetet e larjeve ditore shkojnë deri në 800 pacientë. Por puna është sezonale, kjo për shkak të klimës së zonës ku shtrihen llixhat. Kapacitetet e shtretërve përbëhen nga kapaciteti i hotelit të ndërmarrjes prej 100 shtretër dhe kapacitetet e hotelerive private deri në 800 shtretër. (Gjatë 10 viteve të fundit janë ndërtuar 15 hotele të reja).  Ditëqëndrimi mesatar zgjat 10 -14 ditë në vit dhe përsëritet për 3-5 vjet rresht. Nëse kapaciteti vjetor i të shtruarve arrin 10-12 mijë persona në vit, për ambulatorët kjo shifër arrin në 60-70 mijë ditë larje.

 

Pjesa më e madhe e frekuentuesve janë pensionistë, por ka edhe të sëmurë kronikë të moshave e profesioneve të ndryshme. Ing.Vasil Dhanili nga Fieri, Gjelina e Frrok Gjikola nga Lezha, Lumie e Ramadan Hasanaj nga Prizreni, Kadire e Rafet Islami nga Tetova, që frekuentojnë këto llixha prej 10-20 vitesh, flasin me admirim e respekt të veçantë për Dr.Mentorin. Ndërkohë, duke folur për mrekullitë kurative të llixhave të Peshkopisë, mjeku me përvojë M.Prifti, i miqësuar me pacientë nga e gjithë Shqipëria, Kosova e Maqedonia sqaron se përveç hidroterapise (mjekimit me banjë 10-15 minuta qëndrim në ujë  termomineral në ditë), këtu përdoren dhe metoda të tjera bashkëkohore si: Fangoterapia (terapia me baltë); Elektroterapia (fototerapia, diatermia); Masazhi terapeutik, gjimnastika riaftësuese e kurative si dhe irrigacionet (klizmat dhe mikroklizmat). Po kështu trajtimet kanë veti të veçanta rehabilituese, për të aksidentuarit me fraktura e trauma të ndryshme.

 

Për të gjitha këto shërbime, koridoret e Qendrës Balnare mbushen përgjatë 24 orëve nga mijëra pacientët, që kontrollohen nga personeli shëndetësor, për të shmangur rastet e asfiksisë. Është ndoshta e pabesueshme, por këtu gjen pacientë që mund të kenë ardhur për të 50-tin vit rresht.