Investigimi: Spastrimi i qenve të Tiranës

Investigimi: Spastrimi i qenve të Tiranës

2799
0

Bashkia e Tiranës prej 1 muaji zhvendos qentë në landfillin e Elbasanit

NGa Sabina Veizaj

Një pjesë e qenve endacakë të Tiranës ndodhen në Landfillin e Elbasanit. Shumë të tjerë janë vrarë dhe janë hedhur në plehrat e Sharrës. Të gjithë të sterilizuar dhe matrikulluar.

“Ka më shumë se një muaj që i sjellin qentë nga Tirana natën, tufa tufa këtu në Elbasan. Ka plot qenë atje, tufa tufa, gjithëfarë racash” –thotë zotëria që punon në Landfillin e Elbasanit dhe banon në një shtëpi pak metra larg tij.

Pas sinjaleve të marra se qentë e zhdukur nga rrugët e Tiranës i kanë shpënë në Landfillin e Elbasanit, u nisëm drejt landfillit sëbashku me Viola Kusin, animaliste.( Kjo e fundit bëri publike për herë të parë videon e qenëve të vrarë të hedhur në plehrat e Sharrës.)

“Një pjesë e qenve të Tiranës po na vjen edhe në Vlorë”- thotë Liljana Breshani, drejtuese e organizatës në mbrojtje të kafshëve “Protect me Albania”, Vlorë.

Eleminimi me armë ose dhe helmimi dhe zhvendosja nga habitati i tyre i përhershëm të qenve endacakë ku nuk mund të ushqehen shihet si një problem serioz nga ambientalistët, veterinerët dhe kafshëdashësit.

“ I kam parë me sytë e mi se si i vrasin qentë endacakë. Në fakt ata nuk janë endacakë. Ata e kanë një vendndodhje në lagjje, rrugë e ka shumë kafshëdashës që kujdesen për ta. I ushqejnë, i vaksinojnë, i streilizojnë. Bashkia një pjesë të qenve që janë zhdukur i ka dërguar në periferi. Një pjesë tjetër i ka vrarë. I vrasin në Arbanë. Me armë ose i helmojnë. Në fushën e mbeturinave në Sharrë kam parë qenë të pa ngordhur ende që u ka hypur sipër eskavatori. Kjo është e tmerrshme. Këto janë veprime barbare”- thotë ambientalisti Sazan Guri.

Sipas tij, me largimin e qenve nga Tirana do të fillojnë të shfaqjen sëmundje. “ Qeni ka lindur 30 milionë vjetë përpara njeriut. Ai ka lindur ti shërbejë njeriut.Fryma e qenit mban larg njeriun nga sëmundjet dhe alergjitë e ndryshme. Tani do të shpërthejnë minjtë e zvarranikët”- shprehet ambientalisti Guri.

Ai akuzon bashkinë se ka harxhuar milionëra lekë nga projektet e ndërkombëtarëve për spitalin veterinar të Kombinatit për sterilizimin e qenve dhe tani i zhduk qentë.

Guri shikon si zgjidhje sterilizimin, vaksinimin e qenve dhe dërgimin e tyre në habitatin e mëparshëm. Për të të rrezikshëm prej sëmundjeve janë qentë që shiten në dyqanet e kafshëve, jo qentë që rrijnë nëpër lagjje sepse për këta të fundit kujdesen banorët.

  Kurse profesor Kristaq Bërxholi, pedagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës mendon se sterilizimi i qenve dhe mandej vrasja e tyre është forma më barbare e trajtimit. “Mbasi i kanë shfrytëzuar këto kafshë të mjera, duke i sterilizuar dhe fituar prej tyre miliona lekë, tashmë ua shpërblejnë me eliminimin fizik të tyre.”- deklaron profesor Bërxholi. 

Propozimi për zgjidhje i Profesor Bërxholit është që “qentë të grumbullohen në qendrat e mbajtjes dhe të trajtimit të tyre. Qentë, që kapen në rrugë, duhet të futen në këto qendra dhe jo vetëm të ushqehen, por edhe të trajtohen me preparate sipas problematikave që kanë, të cilat dalin mbi bazën e një studimi që mund të bëhet nga ana e institucioneve shkencore si Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, i cili i ka të gjitha kapacitetet për ta realizuar këtë moment në nivelin shkencor të kohës.”

Sipas tij, qentë që kanë sëmundje të pashërueshme, apo kostoja e trajtimit të tyre e kalon shumë herë vlerën e tyre, këto kafshë, pasi kontrollohen dhe diagnostikohen nga një grup mjekësh, ekspertë nga FMV-ja, eliminohen në rrugë humane, nëpërmjet euthanazisë.

“Natyrisht qe duhen leke, por une pyes: Ku u gjendën mijëra euro që u pagua qeraja e një klinike në kombinat për kohë të gjatë?, pse u zgjodh kjo rrugë me këto shpenzime kaq të medha vetëm për një sterilizim, kur ndërkohë FMV, mund ta bënte këtë punë shumë e shumë më mirë, në kosto shumë e shumë herë më të lirë”- thotë profesor Bërxholi.

Ai shikon të domosdoshëm githashtu hartimin e një ligji për mbrojtjen e kafshëve të shoqërimit që të përfaqësojë edhe kafshët endacake.

Fenomeni i vrasjes së qenve endacakë nuk po ndodhë vetëm në Tiranë. Një problem i tillë shqetësues është vënë re në Durrës, Elbasan, Lezhë e Sarandë. Disa ditë më parë bashkia Sarandë helmoi 14 qenë dhe të mbytyr me litarë i la në mes të rrugës, të cilët i gjetën animalistët, por ishte e pamundur ti shpëtonin.

Gjithë kjo panoramë e një filmi horror bie ndesh me premtimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, i cili premtoi gjatë fushatës elektorale se kur të vinte në pushtet, nuk do tu trajtonte kafshët endacake si shtazë.

Ndërsa Blendi Gonxhe, drejtor i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në një letër drejtuar animalistëve është shprehur: “Absolutisht të  parët për nga rëndësia janë  njerëzit, siguria, pastërtia dhe higjena për njerëzit. Ka ende shumë  punë  që  ky prioritet të  quhet i zgjidhur. Duhet mirkuptim  e sa më  pak ekzagjerim/teprim me çdo gjë  dytësore.”

Ndërsa shoqatat në mbrojtje të kafshëve dhe të gjithë kafshëdashësit nga e gjithë Shqipëria kanë paralajmëruar një protestë përpara bashkisë së Tiranës ditën e shtunë më 20 maj në orën 10:30.