I beson akuzat ndaj Tahirit? Tom Doshi habit me përgjigjen e tij

I beson akuzat ndaj Tahirit? Tom Doshi habit me përgjigjen e tij

468
0

Akuzat që kanë përfshirë këto ditë ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri kanë shkaktuar furtunë në politikën shqiptare. Por duket se jo të gjithë kolegët e tij deputetë i besojnë përgjimet e dala nga banda e trafikantëve të arrestuar në Itali. Madje njëri nga ata që nuk i beson është një ndër armiqët e ish-ministrit të Brendshëm. I tillë është deputeti Tom Doshi, i cili nuk është më pjesë e grupit parlamentar të PS-së dhe që ka pasur një konflikt të hershëm me Tahirin, kur ky i fundit drejtonte Ministrinë e Brendshme. Megjithatë, i pyetur nga Report TV nëse i beson akuzat ndaj Tahirit, deputeti i Shkodrës habit jo pak me përgjigjen e tij:

Gazetarja: I besoni akuzat ndaj Saimir Tahirit?

Doshi: Pse çfarë ka Saimir Tahiri?

Gazetarja: Akuzat e ngritura pas përgjimeve të dosjes “Habilaj”

Doshi: Akuza kanë të gjithë politikanët, por kur të fillojë procesi do e shohim a është fajtorë apo jo.

Doshi ishte një nga kritikët më të ashpër të Tahirit, gjatë kohës që ishte pjesë e PS-së. Madje jo në pak raste ai ka akuzuar ish-ministrin lidhur me atentatin e pretenduar ndaj tij. Ndërkohë, edhe kolegët e tjerë deputetë, pavarësisht akuzave të shumta nga opozita, besojnë në pafajësinë e Saimir Tahirit. “Unë besoj por t’ia lemë drejtësisë”, tha Vasilika Hysi. “Besoj tek drejtësia, duhet të besoj tek drejtësia, po luftojmë ta bëjmë këtë të mundur”, tha Mimi Kodheli. Ndërkohë, Saimir Tahiri nuk është shfaqur sot në ambientet e Kuvendit, edhe pse është anëtar i Komisionit të Ligjeve dhe ky komision kishte mbledhje.