Gjykatësja merr mijëra euro dhuratë nga gjyshja

Gjykatësja merr mijëra euro dhuratë nga gjyshja

853
0

Zakonisht burimi i të ardhurave për gjyshet shqiptare është pensioni i vogël që marrin, por kjo nuk vlen për gjyshet e gjykatësve. Në deklarimin e pasurive, gjyqtarja e Tiranës Rezarta Mataj deklaron se ka marrë 35 mijë euro dhuratë nga gjyshja e bashkëshortit, para të cilat e i ka përdorur për të shlyer një kredi bankare. Por gjithashtu edhe bashkëshorti i saj Blendi Breshanaj deklaron 2 mijë euro të dhuruara nga gjyshja, me të cilat ka blerë një makinë. Por jo vetëm gjyshet janë kaq bujare, pasi janë të shumtë gjykatësit që marrin dhurata nga motrat, kushërinjtë apo kunetërit. Në një investigim të Shqiptarja.com, gjykatësi Neritan Cena rezulton se ka blerë dy pasuri të paluajtshme në Gjermani dhe një apartament me sipërfaqe 101 metër katrorë në Selitë. Për të blerë këto ka marrë dhuratë nga motra 16 mijë euro, nga babai 22 mijë euro ndërsa i ka marrë hua kunatës 9 mijë euro dhe djalit të xhaxhait 2 mijë euro. Një tjetër çudi vjen nga gjyqtarja e gjykatës së Tiranës, Marinela Osmani. Në vitin 2016 ka blerë një apartament 1+1, me sipërfaqe 72 m2, tek Komuna e Parisit, me vlerë 67 mijë euro. Por vlera e këtij apartamenti është rritur menjëherë me 13 mijë euro sapo është blerë nga zonja. Ajo thotë se me aplikimin në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është bërë rivlerësimi i pasurisë në shumën 80 mijë euro. Në këto kushte, apartamentin që ka blerë 63 mijë euro, zonja e ka shitur në datën 19.12.2016 në vlerën 80 mijë euro, duke fituar kësisoj 13 mijë euro. Shumën prej 80 mijë eurosh zonja e ka depozituar menjëherë në bankë.