Franca në pritje të një kryeministri

Franca në pritje të një kryeministri

485
0

Menjëherë pas betimit, presidenti i ri francez, Emmanuel Macron do të emërojë sot kryeministrin para se të niset në Berlin, shenjë e prioritetit të dhënë për boshtin franko-gjerman dhe rimëkëmbjen evropiane. Axhenda e dyfishtë e kësaj dite reflekton dy sfidat kryesore të centristit pro-evropian, i cili kërkon një “Francë të fortë në një Evropë që e mbron”. Në fjalimin e parë zyrtar, presidenti më i ri në historinë e Francës premtoi dje se do të mblidhte dhe do të bashkonte francezët për t’iu rikthyer atyre besimin, për të rindërtuar dhe ribashkuar Evropën, për ta bërë më efikase, më demokratike dhe më politike. Profili i kryeministrit të tij dhe përbërja e qeverisë së re franceze, që me të gjitha mundësitë do të njoftohet nesër, do të jetë testi i parë i kapacitetit të tij për bashkimin, një muaj nga zgjedhjet legjisltive vendimtare për vazhdimin e mandatit të tij. Emri i Edouard Philippe, 46 vjeç, një i zgjedhur i të djathtës së moderuar, anëtar i partisë “Republikanët” (LR) dhe bashkëpunëtori i afërt i ish-kryeministrit Alain Juppe, është ai që qarkullon më shpesh. Disa të zgjedhur të së djathtës së moderuar i janë bashkuar tashmë kampit të Emmanuel Macron, por hyrja e një të zgjedhuri të LR do të ishte një sinjal për bashkim shumë i fortë përsa i përket përpjekjeve për të bindur francezët t’i japin një maxhorancë në Parlament, që do t’i mundësojë të ndërmarrë reforma liberale dhe sociale.