Fëmijët e periferive klithin në heshtje/ Nga Gjergj Meta

Fëmijët e periferive klithin në heshtje/ Nga Gjergj Meta

446
0

Kronika e emisionit investigativ “le Iene” të Mediaset-it, rreth fëmijëve që mblidhinin krom në Bulqizë, e shtoi edhe më shumë atë ndjesi negative që shpesh na kaplon kur shohim se në vendin tonë ende shumë gjëra janë duke ecur mbrapsht. Shumë punë bëhet për fëmijët nga shumë organizma qeveritarë dhe jo qeveritarë, por ka një kujdes të vogël ose aspak kujdes për fëmijët dhe adoleshentët e periferive. Duhet të ndodhë ndonjë kronikë e ndonjë tv të huaj, apo ndonjë aksident si ajo e Ardit Gjoklajt në periferitë e Tiranës, i cili punonte te plehrat, që të zgjohen antenat tona reaguese.

Është e patolerueshme që në zemër të Europës të shihen ato pamje. Unë e di situatën e shumë familjeve në zonën e Mirditës, Bulqizës, Burrelit e me rradhë, pasi jam ipeshkëvi i zonës, por konstatimi nuk mjafton. Pamjet e atyre fëmijëve janë të pajustifikueshme dhe, si thotë një shprehje biblike, thërrasin hakmarrje përpara Zotit. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë, ndryshe do të jemi bashkëfajtorë. Më së pari shteti me ministritë përkatëse, ministrinë e Arsimit dhe asaj të Punës e pse jo edhe me Tatimet e policinë për të parë veprimtarinë e grosistëve të kromit e të prodhimeve të tjera e po ashtu edhe ne të tjerët, mediat dhe ojq-të, organizmat fetare dhe jo fetare që kanë sadopak për zemër këtë vend.

Në këtë mënyrë po u vjedhim të ardhmen atyre fëmijëve. Nuk u lejojmë të jetojnë bukurinë e lojës dhe të moshës së tyre. Ua mohojmë ditën për diell, me indiferencën tonë dhe me pafuqinë e një shteti për t’i dhënë fund kësaj skamje e për të kontrolluar shfrytëzimin e të miturve. Diku kromi e diku lëndët narkotike, po traumatizojnë një brez fëmijëvsh dhe të rinjsh që do të jetë i plagosur në të ardhmen.

Pamjet e përcjella nga Mediaset-i edhe njëherë na vënë përpara përgjegjësisë të gjithë neve. Nuk mund të fshihemi e nuk mund të drejtojmë gishtin vetëm në njërën anë. Duhet të gjithë bashkë, të ulim, e përsëris, të ultim e të dorëzojmë armët e retorikës konfliktuale që nuk po çon asgjëkundi e të shkojmë drejt një aleance për të mirën e vendit dhe të fëmijëve që janë e ardhmja e vendit. Duhet tani dhe urgjentisht, të gjithë bashkë, pa humbur kohë. Këto probleme si varfëria dhe korrupsioni janë problemet e vërteta të vendit tonë, sepse aty luhet dinjiteti i qënieve njerëzore, i çdo banori të Shqipërisë. Nuk mund të lejojmë që pasurimi i pak vetëve të dëmtojë jetën e shumicës së njerëzve. Jo! Nuk ështëe mundur kjo gjë.

Unë si bari i kësaj zone nuk mund ta hesht realitetin e trishtë që pashë e që shoh shpesh kur vizitoj zonat e sipërpërmendura. Mundohemi të bëjmë shumë punë me fëmijët pas shkolle duke i ndihmuar me anë të motrave dhe mësueseve vullnetare që të rekuperojnë mësimet, sidomos me fëmijët e varfër. Kështu bëjmë ne Rrëshen e në Burrel e nganjëherë duke hasur edhe vështirësi nga jashtë. Nuk kemi asnjë interes fetar, por vetëm atë të fëmijëve e adoleshentëve që të kenë një të ardhme sa më të mirë.

Ndoshta edhe kjo video që pamë e të tjera shumë do të harrohen në krye të tre ditëve, pasi të bëjnë pak zhurmë, ose nuk bëjnë zhurmë aspak, duke qenë korja mediatike është aq e fortë saqë vështirë të përshkohet nga këto pamje. Megjithatë ne jemi këtu dhe nuk do ta ulim zërin sa herë që të jetë e nevojshme dhe jemi të gatshëm, me gjithë mundësitë tona, që të bashkëpunojmë për të mirën e fëmijëve dhe të ardhmes së vendit tonë.

Sidomos do të ngremë zërin nga dhe për periferitë e vendit, ato të harruarat nga shteti, ojq, por jo nga Zoti i cili nëpërmjet shumë njerëzve kujdeset. Nuk mund të harrohen fëmijët vetëm pse jetojnë në Bulqizë, a në Kurbnesh, në Pukë apo në Dibër e Burrel, në Miridtë apo në Tropojë e Kukës. Periferitë duhet të jenë në qendër, pasi nuk janë tepër.