Euro në rënie për të 20-ën ditë radhazi

Euro në rënie për të 20-ën ditë radhazi

391
0

Monedha e përbashkët prej 20 ditësh vijon të zhvlerësohet në tregun vendas.

Sot euro preku nivelin e këmbimit të 133 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Që nga fillimi i muajit qershor, euro është zhvlerësuar me gati 1.2 lekë duke shënuar në vazhdimësi rekorde të ulëta, raporton Monitor.

Gjithsesi, në bursë euro është pranë nivelit më të lartë të një vit, ku 1 euro blen 1.12  dollarë, duke u këmbyer 0.06 pikë më shumë se një ditë më parë (shiko grafikun).

Sipas ekspertëve nivele të tilla të ulëta të euros ishin parashikuar për sezonin veror, por duket se fushata zgjedhore ka qenë një nxitës për përshpejtimin e zhvlerësimit të euros në tregun vendas.

Euro, pritet të zhvlerësohet më tej në fund të këtij muaji dhe javën e parë të muajit korrik, pasi me përfundimin e muajit të Ramazanit pritet të shtohet fluksi i turistëve nga Kosova.

Pas trysnisë së efekteve sezonale, ekspertët thonë që euro do të vijojë të zhvlerësohet edhe gjatë gushtit me rikthimin e emigrantëve për pushime.

Teprica e madhe në valutë, sipas tyre, përveç efekteve sezonale, është ndikuar më së shumë për shkak të investimeve të huaja si TAP, por edhe prej aktiviteteve të jashtëligjshme, duke bërë kështu që euro të kapë nivelet më të ulëta të 9 viteve

 Grafiku: Euro/usd në bursa gjatë 6 muajve të fundit, sjellje krejt e kundërt me euron në Shqipëri