EKSKLUZIVE/ Bujar Qamili: Ka këngëtarë të rinj , që kur i dëgjon...

EKSKLUZIVE/ Bujar Qamili: Ka këngëtarë të rinj , që kur i dëgjon është të vesh duart në kokë. Kam vite në skenë, nuk e kam deformuar kurrë këngën popullore!

6033
0

Ka 40 vite në skenë, dhe kurrë nuk e ka deformuar këngën popullore shqiptare. I ka kënduar Shkodrës me mish e me shpirt, ka marrë shumë çmime duke u vlerësuar si këngëtar origjinal. Ka marrë dekorime nga presidentët e Republikës, si këngëtar dhe si interpretues i këngës popullore shqiptare, dhe në veçanti asaj shkodrane. Gjithmonë e shohim në skenë të qeshur, me këngë mjaft të pëlqyera nga publiku, dhe që merr duartrokitje pafund. Ky është Mjeshtri i madh i mukizës popullore, Bujar Qamili. Në një intervistë ekskluzive për ‘vizion.com.al”, Bujar Qamili tregon sekretin e jetëgjatësisë në skenë: “Kurrë nuk mund të bëhesh këngëtar i mirë dhe që të dojë populli vazhdimisht, nëqoftëse nuk i ke kënduar qytetit dhe vendit tënd, prandaj dhe unë e kam ruajtur shumë veten dhe këngën”. Në këtë rrëfim të tij, Bujar Qamili thotë se vera do jetë e ngarkuar me pjesëmarrjen në Maratonën e Këngës, por që harron kurrë detyrimet familjare siç janë pushimet. Bujari na tregon për një suprizë  jo të zakonshme për familjen e tij, ku ka porositur një helikopter nga Tirana për në Pogradec, një suprizë që është përcjellë me sy të përlotur nga gruaja e tij. Po e risjellim serish kete interviste, dukje qene se eshte nje nga kengetaret me te kerkuar dhe te vleresuar nga publiku!

 

Kënga juaj “Rrak-tak” në bashkëpunim me Mateus Frrokun, është bërë tashmë hiti i verës. E kujt ishte ideja për këtë këngë?

Një ditë më ra celulari dhe më thotë që jam Mateos Frroku, kam dëshirë me ardhë në Shkodër me të taku. Po mor i thashë me kënaqësi, erdhi dhe më tha që jam Mateus, i thash të kam  parë në TV, por më thuaj. Është bërë një këngë tha shumë shumë e bukur, mendja më ka shkuar direkt e tek ti, kam shumë dëshirë tha që ta këndojmë bashkë dhe unë i thashë që kanë ardhë dhe këngëtarë të tjerë për një bashkëpunim me mu po nuk më kanë pëlqyer, kështu që i thashë po qe se nuk është e bukur mos të të vij keq. Jo më tha. Shkova në Tiranë dhe e dëgjova këngën me shumë vëmendje, me të vërtetë ishte e bukur dhe e pranova me kënaqësi  mbasi ma dërguan në versionin demo e mësova dhe pas sa ditësh hodha vokalin dhe doli shumë bukur, ndërsa sot po dëgjohet me shumë kënaqësi nga të gjithë dhe është një hit veror. Pra idea ishte e Mateos, e njeriut që bëri muzikën Klejdi Bahiti dhe teksti FIFI.

Zoti Bujar, ju vazhdoni të jeni një nga këngëtarët popullor më të suksesshëm dhe të dashur për publikun. Cili është sekreti juaj, pse publiku e pëlqen muzikën dhe këngët tuaja?

Publiku më pëlqen për arsye se unë  tash 39 vite në skenë kurrë nuk kam deformuar këngën popullore shqiptare e sidomos atë shkodrane  i kam kënduar Shkodrës me mish e me shpirt kam sjell shumë e shumë çmime ne Shkodër duke u vlerësuar si një këngëtar popullor origjinal dhe duke marr  miratimin  e publikut si dhe dekorimet nga presidentët e Republikës si KENGETARI I URDHERIT NAIM FRASHERI I ARTE  DHE  MJESHTER I MADH që nga viti 2008 dhe këto i kam marr si një  interpretues i kangës popullore shqiptare dhe në veçanti asaj shkodrane.  Kurrë nuk mund të bëhesh këngëtar i mirë dhe që të dojë populli vazhdimish nëqoftëse nuk i ke kënduar qytetit dhe vendit tënd, prandaj dhe unë e kam ruajtur shumë veten dhe këngën.

 

Si do të jetë kjo verë për ju, e mbushur me koncerte dhe angazhime, apo do të jeni i përqëndruar tek pushimet?

Kjo verë si gjithë të tjerat është shumë e ngarkuar, por unë kam menaxhuar veten gjithë jetën Egla. Kam disa gëzime familjare që janë detyrime dhe ka filluar Maratona e Këngës në të gjitha qytetet kemi qenë në Durrës, në Sarandë, në Gjirokastër do shkojmë në Vlorë, në Lushnje, Berat, Shkodër, Lezhë, Krujë etj.. Por unë nuk harroj kurrë detyrimet familjare siç janë pushimet ku unë vazhdimisht shkoj në Spanjë. Para pak ditësh kisha një gëzim familjar dhe i bëra familjes një surprizë jo të zakonshme, ku porosita një helikopter dhe u nisëm nga Tirana për në Pogradec, kaluam një drekë në Drilon dhe na priste helikopteri dhe u kthyen në Tiranë . Ishte me të vërtet një gjë e bukur u kënaqëm të gjithë se ishte një gjë e rrallë, sa gruas i mbushën sytë me lotë.

 

Në karrierën tuaj muzikore ndër vite, kush kanë qenë mbështetësit tuaj më të mëndhenj?

 

Faktikisht unë kam filluar shumë herët me këndu. Fillimet e para i kam pas me klubin e rinisë  dhe ndihmën e kam pas nga Nard Bushati si drejtues i atij institucioni. Pastaj në filarmoninë e Shtëpisë së Kulturës, pastaj me drejtues Tonin Daija, Agim Kodraliu dhe Xhavit Ujkani. Më vonë kam pasur dhe koncerte recitale në Pallatin e Punëtorit Vasil Shanto, me zotrit Bedri Islam, sot gazetar dhe regjizor, Verdi Take pastaj më vonë arrita po me këtë pallat të bëj recitalet të tjera me drejtorin, njërin nga miqtë e mi më të mirë, më të nderuar, më i respektuari z Bashkim Alibali, këngëtar i shquar e festiv në radio, television dhe njëri nga miqtë më të mirë që kam dhe drejtues orkestre muzikantin e talentuar dhe i shkëlqyer Nazmi Lishi.  Më vonë kalova në institucionin më të rëndësishëm në rrethm siç ishte estrada profesioniste e Shkodrës, ku kam kënduar për 13 vjet me radhë në të gjitha premierat e estradës dhe kam bërë disa recital, ku këtu kam pas përkrahjen e padiskutueshme të muzikantit Luan Borova. Unë kam punuar edhe me muzikantë të tjerë si  AGIM KRAJKA, FERDINAND DEDA,  SHPETIM SARACI, EDI BALILI,  ARDIAN HILA ETJ. Por  dy njerëz që më kanë ndihmuar të jem sot ky që jam kanë qenë Luan Boriva dhe Nazmi Lishi.

 

Kush ka qenë momenti juaj më i lumtur, por dhe një moment tjetër në jetë që ka qenë më i vështiri për ju?

 Momente të lumtura unë kam shumë, se kam 39 vite karrierë, por një ka qenë shumë emocionues. Kur jam dekoruar, para  se të dekorohen këngëtarët e tjerë kur në vitin 2008, presidenti z Bamir Topi më dha titullin “MJESHTER I MADH” dhe jam ndier keq para se të dal në koncert recital kam bërë shamat me gruan.

 

Sot në tregun muzikor, dëgjojmë këngë të ndryshme, që duket se e kanë ulur nivelin e muzikës. Cili është vlerësimi juaj, për tregun e sotëm të muzikës popullore, por jo vetëm?

Sot është çdo gjë e lirë, kushdo mundet me këndu një këngë dhe e nxjerr, por mos harro diçka: kushdo që të dalin populli i njeh mirë këngëtarët e tij i njeh mirë këngët që ata këndojnë, këngët me të cilat ata janë rritur dhe jo këngë sot për nesër.  Sa do këngë e këngëtar që nuk i këndojnë qytetit të vet, të dalin ata nuk dot marrrin atë respekt që Bujar Qamili me shokë kemi vënë themelet dhe sa  do  të mundohen kuuuuurrë në botë nuk do ta prishin atë që unë me disa kolegë të mi e kemi vënë me djersë. Sot ka këngëtarë sidomos të reja, që ju i dini shumë më mirë se unë se si këndojnë, me vu duart në kry,  po hajde fol me to, as nuk e kam ndërmend t’i përmend emra se nuk është në nderin tim. Por një faj, jo gabim kanë edhe mediat qofshin ata të shkruar, qofshin ata vizive që nuk kanë censur për këto probleme. Ka gazeta e revista që për një këngëtar rrinë e shkruajë me javë të tëra, jo duke u marrë me zërin e tyre e mënyra se si këndojnë, por me pjesët e trupit- shumë gabim. Prandaj unë e kam thënë gjithmonë këtë që këto këngëtare atë që nuk e bëjnë me zë, duan ta bëjnë me gjeste të tjera dhe ky quhet LIGJI I KOMPESIMIT.

Intervistoi: Eglantina Alliaj