Dy KRIZA / Berlini dhe Kuba, perplasjet e medha te Luftes se...

Dy KRIZA / Berlini dhe Kuba, perplasjet e medha te Luftes se Ftohte/ Nga Jim Broderick*

506
0

Statusi i Berlinit kish qenë një problem i vërtetë për Aleatët, që nga koha e konferencave të Jaltës dhe Potsdamit në 1945, atëherë kur “Tre të Mëdhenjtë” (Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik) kishin rënë dakord ta ndanin Gjermaninë e mundur, në katër zona të pushtuara. Ata ndanë gjithashtu edhe Berlinin, që ndodhej 110 milje brenda zonës sovjetike, në katër sektorë, ku secili qeverisej nga një komandant ushtarak i ushtrisë fituese respektive. Por, shumë shpejt mes aleatëve u panë divergjenca në lidhje me të ardhmen e Gjermanisë në përgjithësi, dhe të Berlinit në veçanti. Në vend ta trajtonin Gjermaninë si një njësi ekonomike unike – siç ishte vendosur në Potsdam – Bashkimi Sovjetik e qeveriste zonën sikur të ish një njësi e pavarur, dhe ai kundërshtoi menjëherë lëvizjet e perëndimorëve për një ribashkim gjerman sipas mënyrave demokratike.

 

Këto mosmarrëveshje çuan në të parën prej krizave të Berlinit, kur në mars 1948, Bashkimi Sovjetik shpalli një seri masash që synon të frenonin hyrjen në Berlinin Perëndimor, gjë që arriti kulmin me pezullimin e trafikut hekurudhor dhe rrugor në 24 qershor. Arsyeja e pretenduar prej sovjetikëve për bllokadën, ishte se kjo erdhi si reagim ndaj planeve për bashkim të monedhës në sektorin perëndimor, por qëllimi i saj më i thellë ishte të testonte angazhimin e SHBA kundrejt Berlinit perëndimor. Në përgjigje, Presidenti Truman zbatoi kundërsanksione ndaj Gjermanisë Lindore dhe nisi një operacion masiv, duke i dërguar Berlinit Perëndimor furnizime nga ajri. Në muajt pasues u zhvilluan negociata të kota diplomatike, por ura ajrore dhe kundër-bllokada, bëri që lidershipi sovjetik të rishikonte strategjinë e vet dhe në 4 maj 1949, pas një serie takimesh të fshehtë të ambasadorëve të tyre në OKB, dy superfuqitë ranë dakord për një heqje të ndërsjellë të kufizimeve.

 

Gjemb

 

Megjithëkëtë, Berlini mbeti një gjemb në marrëdhëniet SHBA-BS, dhe në dekadën pasardhëse u vu re një izolim në rritje i sektorëve perëndimorë dhe lindorë nga njëri-tjetri. Më pas, krejt papritur në 1958, kryeministri sovjetik Hrushov precipitopi krizën e dytë të Berlinit, kur kërkoi që të negociohej një traktat formal paqeje, i cili do të legjitimonte ndarjen e përhershme të Gjermanisë dhe do ta transformonte Berlinin Perëndimor në një “qytet të lirë e të demilitarizuar”. Veç kësaj, ai këmbënguli që transformimi të përfundohej brenda gjashtë muajve, përndryshe Bashkimi Sovjetik do të kërkonte vetë një zgjidhje.

 

Presidenti Aizenhauer i hodhi poshtë kërkesat, duke theksuar se SHBA nuk njihnin regjimin gjermano-lindor dhe, si rrjedhim nuk do të kryenin një marrëveshje të ndarë me të; si rrjedhim, rrugët e aleatëve dhe aksesi për në Berlin ende qeveriseshin prej marrëveshjeve të firmosura në fundin e Luftës së Dytë. Në maj 1959, dy palët u takuan në Gjenevë për të arritur në një kompromis. Sidoqoftë, nga takimi shkuan drejt një rruge pa krye. BS këmbënguli që çështja e Berlinit duhej të zgjidhej brenda 18 muajve të ardhshëm. Duket se sovjetikët kishin parashikuar mundësinë e ardhjes së një presidenti të ri, pa përvojë, pas Aizenhauerit.

 

Pasi kishte lidhur prestigjin e tij personal me heqjen “e kësaj ashkle nga zemra e Evropës”, Hrushovi përdori takimin e tij të parë me Kenedin e sapozgjedhur, në një samit të qershorit 1961 në Vienë, për të rishpallur pozicionin e tij në lidhje me Berlinin. Ditën e dytë, lideri sovjetik i tha Kenedit se nevojitej t’i jepej një fund formal Luftës së Dytë Botërore dhe se duheshin njohur dy Gjermani të ndara. Nëse aleatët nuk mund të binin dakord me një pozicion të tillë, Bashkimi Sovjetik do të vepronte në mënyrë të njëanshme dhe do të firmoste një marrëveshje paqeje me Gjermaninë Lindore. Kjo do të thoshte fund i gjendjes së luftës që ekzistonte gjithësesi në letër, duke abroguar në këtë mënyrë ato angazhime që buronin nga termat e dorëzimit të gjermanëve – përfshirë të drejtat e pushtimit, aksesin në Berlinin Perëndimor si dhe përdorimin e korridorëve tokësorë përgjatë Gjermanisë Lindore. Kenedi u përgjigj se Berlini ishte një prej shqetësimeve kryesorë të SHBA, si dhe një çështje shumë e rëndësishme e sigurisë kombëtare. Humbja e të drejtës së aksesit do të vinte në pikëpyetje angazhimet e SHBA kudo, si dhe do t’u jepte fund shpresave për një ribashkim të dy Gjermanive.

 

Acarim

 

Toni në samitin e Vienës u ashpërsua në mënyrë të konsiderueshme, teksa acaroheshin pozicionet nga të dyja palët. Berlini ishte bërë një test kyç i ekuilibrit të fuqive, si dhe një betejë vullnetesh ndërmjet dy liderëve të vetë superfuqive. Konferenca u ndërpre me një deklaratë frikësuese. Hrushev përsëriti këndvështrimin e tij, se cdo cënim i integritetit të Gjermanisë Lindore do të shkaktonte një reagim nga ana e sovjetikëve dhe Kenedi rideklaroi se SHBA nuk do të hiqte dorë nga e drejta e aksesit në Berlin, duke shtuar “se do të jetë një dimër i ftohtë”.

 

Por, ajo verë rezultoi një prej më të nxehtave në sagën e Berlinit. Në 15 qershor, Bashkimi Sovjetik nxorri një aid-memoire, i cili përmbante një ultimatum, se SHBA duhej të pranonte kërkesat e BS, ose ky do të vepronte brenda fundit të vitit. Kulmi u arrit në 13 gusht, për befasinë e liderëve perëndimorë, kur gjermano-lindorët nisën krejt papritur të ndërtojnë, atë që do të shndërrohej në një prej simboleve më të fuqishëm të Luftës së Ftohtë, Murin e Berlinit. Në atë kohë, arsyet e ngritjes së kësaj pengese masive ishin të paqarta. Lindja kish patur prej kohësh një problem me vërshimin e refugjatëve dhe të arratisurve që përpiqeshin të kalonin nga njëra pjesë e qytetit në tjetrën, por shpejtësia dhe fshehtësia me të cilën u ngrit muri, shkaktoi shtangie në Uashington. Në mos për të tjerat, kjo shkaktonte ndarje të familjeve dhe miqve si dhe mbyllje të atyre që mbeteshin në Berlinin lindor, duke i ndarë nga bashkatdhetarët e lirë, në pjesën perëndimore. Gjithashtu, ofronte një provë konkrete se Bashkimi Sovjetik kish për synim të “vuloste” një herë e përgjithmonë Gjermaninë Lindore.

 

Trupa

 

Që nga qershori, të dy palët kishin rritur së tepërmi nivelin e përgatitjes ushtarake dhe Kenedi autorizoi menjëherë instalimin e 150 mijë trupave në Berlinin perëndimor. Ai dërgoi gjithashtu zv.presidentin Lindon Xhonson dhe Gjeneralin Lusius Klei në qytet, për të demonstruar vendosmërinë e amerikanëve, si dhe për të siguruar edhe një herë perëndimorët se SHBA nuk do t’i braktiste. Muajt që pasuan kishin tension të lartë, me një numër karshillëqesh, përfshirë një moment kur tanket amerikanë dhe ata rusë qëndronin përballë njëri-tjetrit në një lojë të rrezikshme me zjarrin. Sipas dëshmisë së këshilltarëve të tij më të ngushtë, presidenti amerikan pyeste hapur se kur do të vinte “momenti i së vërtetës”, por katastrofa finale nuk u materializua asnjëherë. Ultimatumi i dhjetorit, që i ishte vënë amerikanëve kaloi dhe BS nuk firmosi asnjë marrëveshje me Gjermaninë Lindore, si dhe nuk iu mohua askujt aksesi në Berlinin perëndimor. Ndjesia e krizës u zbeh, duke lënë pas një situatë pezull e të pasigurtë mes dy superfuqive.

 

Përgjatë të gjithë vitit 1961-shit dhe 1962-shit, Berlini mbeti pika qendrore e korrespondencës mes Hrushovit dhe Kenedit, ku BRSS vazhdimisht testonte qëllimet e amerikanëve. Por, tetori i atij viti pa shpërthimin e një krize edhe më të madhe, një krizë që i coi dy superfuqitë jashtëzakonisht shumë pranë konfrontimit bërthamor.

 

Kuba kish qenë një problem goxha i lodhshëm për SHBA që nga viti 1959, kur komunisti Fidel Kastro kish ardhur në pushtet. Kenedi kish përjetuar tashmë një sprapsje poshtëruese kur pati dështuar të rrëzonte Kastron, në përpjekjen e Gjirit të Derrave, që u mbështet nga amerikanët në prill 1961. Më vonë atë vit, ai autorizoi një program veprimesh të fshehtë për të destabilizuar regjimin, përfshirë disa skema për të vrarë Kastron. Kështu që, nuk është habi që lideri kuban t’i druhej një pushtimi të dytë të udhëhequr nga amerikanët, dhe të kërkonte mbështetjen e Bashkimit Sovjetik, kundër qëllimeve të imperializmit amerikan.

 

Hrushovi

 

Edhe Hrushovi kishte problemet e tij. Ai jo vetëm kish dështuar të sillte tërheqjen e amerikanëve nga Berlini, por raportet e shërbimit të fshehtë amerikan në 1961 dhe 1962 kishin bindur më në fund liderët politikë të SHBA, se “hendeku i raketave” për të cilin trembeshin aq shumë ishte një iluzion; aftësia bërthamore sovjetike, që mendohej se ishte superiore, ishte në fakt shumë inferiore kundrejt asaj të SHBA. Veç këtyre, Hrushovin e mundonte fakti që SHBA mund të ndërtonte një gardh përrrth Bashkimit Sovjetik me baza ushtarake amerikane, si dhe të vendoste raketa “Jupiter” në Turqi, mu në kufi me BS-në. Gjatë pranverës dhe verës së 1962-shit, u vendos që një mënyrë për të kompensuar superioritetin bërthamor amerikan, për të ushtruar trysni mbi SHBA-të në lidhje me Berlinin dhe për të ndihmuar Kubën, do të ishte vendosja e raketave sovjetike me rreze të mesme, në tokë kubaneze. Porositë formale u dërguan në Ministrinë e Mbrojtjes dhe instalimi nisi në 10 qershor 1962.

 

Në fund të gushtit, avionë amerikanë të zbulimit pikasën ndërtimin e raketave në Kubë. Megjithatë, të shqetësuar më shumë me përkeqësimin e situatës në Evropë dhe Azinë Juglindore, administrata bëri supozimin e gabuar se qëllimi i këtyre bazave ishte forcimi i mbrojtjes kubaneze. Misionet e zbulimit u shtuan në shtator, por cuditërisht nuk u zbuluan prova të reja, për të bindur Kenedin se bazat ishin më shumë se për mbrojtje. Ky gjykim u përforcua edhe nga fakti që asnjëherë më parë, Bashkimi Sovjetik nuk kish vendosur raketa në tokë të huaj, ndërkohë që sinjalet nga pala sovjetike inkurajonin idenë se BS nuk kish ndërmend ta bënte këtë gjë. Në 11 shtator, agjencia sovjetike e lajmeve, TASS bënte të ditur: “Nuk ka nevojë që Bashkimi Sovjetik të zhvendosë armët e veta për të frenuar agresorët… në ndonjë vend tjetër, për shembull në Kubë”.

 

Siguri

 

Sinjale të tillë u përforcuan më tej në nivelet më të lartë diploamtikë. Në 4 shtator, dhe sërish në 6 shtator, ambasadori sovjetik në SHBA, Anatoli Dobrinin thirri Kryeprokurorin e SHBA, Bob Kenedi, vëllai i Presidentit Xhon, duke i thënë se kish mesazhe personale nga Hrushovi. Thelbi i këtyre mesazheve ishte se Bashkimi Sovjetik nuk kish për qëllim të krijonte telashe me SHBA përpara zgjedhjeve të ardhshme në kongres, dhe se nuk do të kryhej asnjë veprim që “do të ndërlikonte situatën ndërkombëtare, apo acaronte edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve tona”. Megjithëse përgjigja e Kenedit ndaj Hrushovit ishte se SHBA nuk do të toleronte raketat ruse në Kubë, ishte e qartë se deri tani strategjia sovjetike po funksiononte dhe se SHBA mbeteshin të pavetëdijshme për përmasën e aventurës bërthamore të Hrushovit.

 

Kriza shpërtheu në 15 tetor, kur Kenedit iu dhanë prova fotografike të një misioni zbulimi, që ofronin versionin e pakundërshtueshëm se sovjetikët po ndërtonin vende për vendosjen e raketave bërthamore, vetëm 90 milje larg Majemit. Këshilltarët e tij më të ngushtë thonë se Kenedi shpërtheu menjëherë në zemërim: “Si mund të ma bëjë ai këtë mua!” Presidenti mblodhi një ekip me 15 këshilltarët më të ngushtë. I njohur si Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar të Sigurisë (ExComm), ky grup funksiononte si këshilli më i ngushtë i sigurisë kombëtare, për 13 ditët që pasuan.

 

Gjashtë alternativa

 

Detyra e parë e Exxcomm-it ishte të ekzaminonte opsionet që SHBA kish në dispozicion. U sugjeruan gjashtë alternativa, që varionin nga mosveprimi i plotë e deri tek pushtimi total i Kubës. Megjithatë, shumë shpejt strategjia amerikane u reduktua në dy reagime kryesore: ose një sulm ajror kirurgjik ndaj bazave, ose një bllokadë e ishullit. Opsioni i sulmit ajror pasohej nga një mori problemesh, aq më tepër që ushtria nuk garantonte se ai do të ishte tamam kirurgjik. Ndërkohë që vendet ku ndodheshin raketat mund të shkatërroheshin, forca ajrore nuk mund të ish e sigurtë, se MIG-ët sovjetike dhe bombarduesit “Iliushin” të vendosur në Kubë o të mund të parandaloheshin që të mos nisnin sulme ndaj tokës amerikane. Gjithashtu, nuk mund të ish e sigurtë që të gjitha do të shkatërroheshin në një operacion të vogël. Me qëllim që të garantonin shkatërrimin e plotë të bazave duheshin 500 sulme të ndryshëm: me fjalë të tjera, një sulm masiv dhe jo kirurgjik, që rrezikonte të shaktonte deri 20 mijë të vdekur nga personeli rus, apo civilë vendas. Në fakt, numri i rusëve që ndodheshin në Kubë për qëllime ushtarake ishte nënvlerësuar shumë; shifra më të vona tregojnë se ndodheshi deri 42 mijë vetë, personel ushtarak rus në ishull. Sigurisht, Moska nuk do ta injoronte një sulm të tillë. Gjithashtu, sulmi do të duhej të ndodhte pa paralajmërim, gjë që, për një vend i cili e kish provuar vetë në kurriz këtë gjë me Pearl Harbori e famshëm, do të qe e vështirë të kapërdihej.

 

Bllokada

 

Ndërkohë që diskutimet vazhdonin, opsioni i bllokadës po bëhej gjithnjë e më i pranueshëm. Ai do të ndalonte cdo vendosje raketash të reja nga sovjetikët, do të sinjalizonte angazhimin e amerikanëve për largimin e raketave dhe do ia kalonte barrën e lëvizjes së radhës, ekskluzivisht Hrushovit. Kenedi i shpalli qëllimet e tij në 22 tetor. Presidenti deklaroi para publikut se ishte zbuluar prania e raketave sovjetike në Kubë, duke shpallur qëllimin e tij për “të vendosur një karantinë ndaj të gjithë pajisjeve ushtarake ofensive që do të shkonin për në Kubë”, dhe që do të hynte në fuqi në 24 tetor. Nëse ndonjë anije sovjetike i rezistonte urdhërave për të ndalur, anijet amerikane do të qëllonin kundër tyre. Ai deklaroi gjithashtu se cdo raketë bërthamore që do të lëshohej nga Kuba, do të konsiderohej si një sulm ndaj SHBA prej Bashkimit Sovjetik, si dhe kërkoi që BRSS të largonte të gjithë armët bërthamore nga Kuba.

 

Në ditët që pasuan, u rrit numri i fluturimeve të avionëve të zbulimit mbi Kubë, duke arritur një shpeshtësi cdo dy orë dhe anijet sovjetike, me më shumë njerëz dhe materiale, lundronin shumë më pranë ishullit. Në datën 25, Kenedi rriti nivelin e gatishmërisë ushtarake – tashmë, lufta ishte një hap larg. U duk se dy superfuqitë ishin tashmë në një rrugë përplasjeje. Megjithatë, në 26 tetor, një letër e fshehtë dhe plot pasion erdhi prej Hrushovit, në adresë të Kenedit. Kryeministri sovjetik shkruante: “Nëse nuk ke humbur vetëkontrollin dhe e kupton se ku mund të na cojë kjo, atëherë, Z. President, ne dhe ju duhet të tërheqim tashmë fundet tanë të litarit, në të cilin ti ke lidhur nyjën e luftës, pasi, sa më shumë të tërheqim, aq më shumë do të shtrëngohet nyja.

 

Ajo cfarë propozoi Hrushovi ishte një marrëveshje, në të cilën Bashkimi Sovjetik do të tërhiqte të gjithë raketat nga Kuba, në këmbim të një garancie prej amerikanëve se nuk do të pushtonin ishullin.

 

Por dita më e keqe e krizës ende nuk kishte ardhur. Në 27 tetor, teksa ExComm-i po përpiqej të hartonte një përgjigje ndaj letrës së kryeministrit sovjetik, Radio Moska nisi të transmetojë një letër të dytë të Hrushovit drejtuar Kenedit. Ky mesazh ishte shumë më i ashpër, dhe në të thuhej se heqja  raketave sovjetike nga Kuba do të varej nga heqja e raketave bërthamore amerikane nga Turqia. Krejt papritur, Hrushovi kish rritur stekën. Problemet e ExComm-it u shtuan edhe më kur u informua se një avion zbulimi amerikan ishte goditur dhe rrëzuar teksa fluturonte mbi Kubë. Kenedi iu drejtua anëtarëve të Komisionit: “Tani, mund të ndodhë cdo gjë”. Gjatë gjithë kësaj kohe, marina sovjetike po i afrohej gjithnjë e më shumë vijës së bllokadës, duke rritur kështu gjasat për një konfrontim ushtarak.

 

Koha po mbaronte. Gjatë të gjithë ditës, ExComm-i kërkoi një mënyrë për të zgjidhur krizën politikisht, pa përdorur forcën e armëve. Në pasdite, më në fund Robert Kenedi parashtroi një plan, jo pa risk. Ai sugjeroi që presidenti të injorojë letrën e dytë dhe të kontaktojë Anatoli Dobrininin, të cilit t’i thotë se SHBA është dakord me mesazhin e parë të Hrushovit. Kenedi firmosi një letër ku theksonte se binte dakord me propozimet e Hrushovit, por në të cilën përfshinte edhe një paralajmërim se vazhdimi i kërcënimit do të ishte “një rrezik i madh për paqen në botë”. Në fund të fundit, karantina ishte vetëm një hap i parë dhe opsioni i sulmit ajror ishte i gatshëm brenda 48 orëve, nëse sovjetikët do të vazhdonin të ndërtonin baza.

 

Përgjigja erdhi ditën tjetër. Në përgjigje të letrës së Kenedit, Radio Moska transmetoi një deklaratë të Hrushovit. Në këmbim të garancive të amerikanëve për Kubën, qeveria sovjetike “ka dhënë një urdhër të ri për të cmontuar armët që ju i përshkruani si sulmuese … dhe t’i rikthejë ato në Bashkimin Sovjetik”. Ndonëse për cmontimin do të duhej disa kohë, dhe pavarësisht vështirësive të vazhdueshme të SHBA me regjimin e Kastros, kriza e Kubës kish marrë fund.

 

Një trashëgimi domethënëse në menaxhimin e krizave, që cuditërisht është shumë e lehtë të mos vihet re, është edhe fakti që unë jam gjallë ta shkruaj këtë artikull dhe ju jeni gjallë ta lexoni. Nuk mund të nënvlerësohet se me cfarë luanin BRSS dhe SHBA gjatë kësaj periudhe.

 

Mënyra se si liderët amerikanë dhe sovjetikë përballuan këtë rrezik qëndron në thelb të konceptit të menaxhimit efektiv të krizave ndërkombëtare, gjatë Luftës së Ftohtë. Gjatë të dy krizave, Kenedi në mëyrë të vecantë u përball me zgjedhje shumë të vështira. Kur u rikthye nga samiti i Vienës në 1961, ai rishikoi planet e NATO-s në lidhje me Berlinin Perëndimor. Për befasinë e tij, planet kërkonin që karvanë të armatosur të udhëtonin përmes Gjermanisë Lindore për të cliruar qytetin. Nëse do të hasnin në rezistencë, planifikuesit parashikonin një acarim të luftës bërthamore. Plane të tilla, praktikisht nuk i jepnin presidentit asnjë hapësirë për manovrime. Në vend të kësaj, ai u përpoq të ndërtojë një masë fleksibiliteti, ndërkohë që demonstronte anagzhim nga njëra anë duke zgjeruar opsionet tradicionalë. Kjo do të thoshte trefishimin e thirrjes së ushtarëve, mobilizimin e 250 mijë rezervistëve dhe Gardës Kombtare, mobilizimin e dy divizioneve të plotë të SHBA, si dhe 54 skuadroneve ajrorë dhe të marinës, me një kosto totale prej 3.2 miliardë dollarësh.

 

I njëjti mendim motivoi Kenedin edhe gjatë krizës së Kubës. Pushtimi i plotë i ishullit u përjashtua me shpejtësi dhe opsioni i sulmit ajror zuri vend, teksa presidenti përpiqej të gjente një rrugë të mesme, duke vendosur një “karantinë” mbi Kubën. Ashtu si në Berlin, kjo binte ndesh me planet e specialistëve ushtarakë. Anëtarët civilë të ExComm-it u habitën që homologët e trye ushtarakë merrnin kaq pak në konsideratë pasojat e veprimeve që mbronin. Në ditët e fundit të krizës, Presidenti thoshte: “Një pushtim do të kish qenë një gabim i madh – një përdorim i gabuar i fuqisë sonë. Por ata të ushtrisë janë të marrë. Ata donin ta bënin. Jemi me fat që kemi Sekretarin e Mbrojtjes, MekNamara atje”.

 

Në të vërtetë, në 28 tetor, ditën kur kriza u duk se përfundoi, Gjenerali Kërtis LëMej, Shefi i Stabit i Forcave Ajrore i sugjeroi presidentit që “sido që të jetë, ne të sulmojmë të hënën”. Nevoja për të zgjidhur këta konflikte pa përdorimin e forcës nuk duhet të ngatërrohet me zbutjen. Vendim-marrësit e superfuqive duhej të moderonin shkallën e konkurrencës, për arsye se acarimi i pakontrolluar rrezikonte të shkaktonte sulme të mëdha ndëshkuese bërthamore kundër vendeve respektivë. Megjithatë, kur nuk angazhoheshin në konfliktin (pothuajse) bërthamor, vendim-marrësit në SHBA dhe BRSS nuk ishin kundër angazhimit në politika lufte, sic tregojnë lufta në Vietnam, apo dhe pushtimi i Afganistanit nga rusët në 1979.

 

Vec kësaj, të shiheshe si i dorëzuar përpara kundërshtarit ishte gjithashtu e patolerueshme dhe problematike. Një ironi e krizës kubane është se Kenedi kishte udhëzuar ushtrinë në gusht 1962, që të largonte raketat bërthamore “Jupiter” nga Turqia, por kjo nuk ishte bërë. Kështu që, ai ishte dyfish i tronditur kur zubloi në 27 tetor 1962, që jo vetëm dikush nuk kishte zbatur urdhërat që ai kish dhënë për të hequr raketat, por tani ato ishin edhe një komponent kryesor në një lojë vdekjeprurëse, të maces me miun. Tani, ai nuk mund t’i largonte ato publikisht, për arsye se kjo do të shihej si shenjë frikësimi përpara shantazhit bërthamor sovjetik.

 

Berlini dhe Kuba u demonstruan liderëve sovjetikë dhe amerikanë se duhej rimenduar strategjia e përmbajtjes. Srategjia e Shkatërrimit të Ndërsjellë të Garantuar që udhëhiqte mënyrën se si armët bërthamore do të përdoreshin, ndihmonte shumë pak superfuqitë e mbërthyera në konfrontim. Një pasojë e menjëhershme e ngjarjeve të 1961 dhe 1962 ishte një rivlerësim i përdorimit të këtyre armëve dhe nisi të shfaqet një interes i madh për hartimin e një “reagimi fleksibël”, që parashikonte përdorimin e armëve taktike të fushëbetejës, në një luftë bërthamore të kufizuar. Fatmirësisht, edhe këto qasje më të limituara nuk u testuan asnjëherë gjatë konfrontimeve, si kriza e Lindjes së Mesme e vitit 1973.

 

Më e rëndësishmja, nga kriza u kuptua se konkurenca SHBA-BS duhej të vihej nën kontroll. Një leksion shokues nga kriza ishte se, në një epokë të telekomunikacioneve, raketave balistike ndërkombëtare dhe eksplorimit të hapësirës, nuk kishte mjete komunikimi të drejtpërdrejtë mes Uashingtonit dhe Moskës. Hrushovit i shërbente Radio Moska për t’i përcjellë mesazhe Kenedit dhe komunikimi dplomatik bëhej ende me mesazhe të shkruar tek ambasadorët, që shërbenin si ndërmjetës. Si rrjedhim, pas Kubës, Uashingtoni dhe Moska krijuan të famshmen “linjë e nxehtë”. Megjithatë, edhe kjo mënyrë komunikimi direkt bëhej me teleprinter, dhe jo drejpërdrejtë.

 

Të tjera kontrolle pasuan. Përvoja e këtyre krizave, kur bota iu afrua më shumë se asnjëherë luftës bërthamore, shkaktoi një rinovim të diplomacisë së superfuqive dhe fundi i viteve ’60 pa firmosjen e një numri traktatesh që përpiqeshin t’i vendosnin limite shkallës së konkurencës bërthamore. Këta përfshinin: Traktati i Ndalimit të Pjesshëm të Testeve bërthamore i 1963, Ndalimi i Armëve Bërthamore në Hapësirë i 1967 dhe firmosja e Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore në 1968.

 

Kriza shkaktoi edhe një miratim të heshtur se, secila superfuqi kishte “sferën e vet të influencës”. Për pjesën e mbetur të Luftës së Ftohtë, BRSS-së iu la pak a shumë dorë e lirë në Evropën Lindore. Berlini Perëndimor mbeti një enklavë perëndimore dhe Evropa Perëndimore u pranua si pjesë e sistemit Atlantik të sigurisë.