Dokumentet e pronësisë, drejtuesit e institucioneve zbresin në Himarë

Dokumentet e pronësisë, drejtuesit e institucioneve zbresin në Himarë

365
0

Përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkisë së Himarës, Hipotekës së Vlorës dhe ALUIZNI-t ishin në Himarë në kuadër të procesit të bisedimit me banorët që pretendojnë titujt e pronësisë në objektet që preken nga projekti i rikualifikimit urban. Në përfundim të takimit me disa prej banorëve, Kryebashkiaku Jorgo Goro deklaroi se strukturat shtetërore po bashkëpunojnë në kuadër të rishikimit të të gjithë dokumentacionit për pronarët që preken nga ndërhyrja që do të bëhet për rikualifikimin urban. “Patëm një takim me qytetarët, takim i cili do të vazhdojë gjatë gjithë javës. Ditën e enjte që vjen do të ketë prapë takim më intensiv. Ne si bashki, gjithë struktura jonë, është e angazhuar dhe është në dispozicion të qytetarëve, për ti orientuar se çfarë dokumentacioni do të kenë ata në mënyrë që ky projekt shumë i rëndësishëm për bashkinë tonë por dhe për vet qytetarët të finalizohet me sukses në interes të tyrin dhe në interesin e përgjithshëm”, theksoi Goro. I pranishëm në terren ishte edhe zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Artan Shkreli sipas të cilit Himara, sikurse e gjithë zona rreth e rrotull, është më e vonuar përsa i përket hedhjes në sistem të të dhënave për tokën. “Është menduar nga qeveria shqiptare, me mbështetjen e pushtetit lokal, që ky projekt për rikualifikimin urban të shërbejë edhe si një projekt pilot për regjistrimin e pronave të njerëzve që kanë pretendime. Bëj një apel të fundit në mënyrë që sot një javë të jenë në dispozicion të këtyre pretendentëve për prona të cilët kanë dokumentet. Ti paraqisin këto dokumenta të enjten tjetër në mjediset që do të vërë në dispozicion bashkia. Një gjë është e qartë dhe e sigurtë që ky projekt do të vazhdojë dhe nuk ka kthim prapa të projektit”, nënvizoi Shkreli. Ai garantoi qytetarët e Himarës se qeveria shqiptare i ka marrë të gjitha masat, ka nxjerrë dhe fondin e dëmshpërblimit duke llogaritur sikur të gjithë pronarët do të hipotekojnë pronat e tyre. “Këto do ti marrin padyshim ata që do ta çojnë procesin deri në fund. Projekti do të vazhdojë në atë formë që është miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit i cili në vetvete ka marrë parasysh edhe sugjerimet që kanë ardhur nga konsultimet me publikun dhe aktorët që preken ose ndihmohen nga ky projekt”, insistoi Shkreli.