Buxheti i shtetit zero lekë për të rinjtë për vitin 2018

Buxheti i shtetit zero lekë për të rinjtë për vitin 2018

732
0

QEVERIA DHE KUVENDI TË ALOKOJË BUXHET PËR TË RINJTË NË BUXHETIN E SHTETIT PËR VITIN 2018

 Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri përmes kësaj Deklarate Publike kërkon të shprehë shqetësimin e tij të thellë mbi faktin që Buxheti i Shtetit për vitin 2018 nuk ka parashikuar asnjë fond për të rinjtë në Shqipëri. E thënë ndryshe, kjo nënkupton që të rinjtë në Shqipëri do të lihen totalisht në harresë nga Qeveria shqiptare për vitin 2018. Nuk është hera e parë që Buxheti i Shtetit ka shfaqur mangësi serioze në drejtim të investimit për të rinjtë, por nuk kishte ndodhur ndonjëherë që buxheti i shtetit të mos përmbante asnjë element për financimin dhe mbështetjen e të rinjve shqiptarë. Kjo për ne është totalisht e papranueshme! Qeveria shqiptare në vitin 2015 miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë (2015-2020), i cili mbetet gjërësisht i pazbatuar përgjatë këtyre dy viteve, për shkak se financimet nga Buxheti i Shtetit kanë qenë të vogla. Ndërkohë me riorganizimin e Ministrive dhe kalimit të çështjes së të rinjve pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, përfshirë dhe caktimin e një Zv. Ministri për të rinjtë, na bëri të besojmë se më në fund Qeveria shqiptare kthehu vëmendjen ndaj të rinjve. Por, nga vëzhgimi paraprak i Projekt Buxhetit të vitit 2018 dhe Relacionit shoqërues dorëzuar tashmë në Kuvend, ne shohim se asnjë nga institucionet shqiptare përfshi dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nuk do të kenë buxhet për të rinjtë. Në këtë drejtim lind pyetja: Si do ta zbatojë Qeveria shqiptare Planin e saj Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë, ndërkohë që Buxheti për të rinjtë është zero? Për sa më sipër, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri përmes kësaj Deklarate Publike i kërkojnë Kuvendit, Qeverisë, Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë:

 

  1. Të alokojnë buxhet specifik, të dedikuar për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë (2015-2020).

 

  1. Qeveria dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të krijojnë një program buxhetor specifik për të rinjtë, brenda buxhetit të Ministrinë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

 

  1. Kuvendi i Shqipërisë së bashku me Komisionin për Ekonominë dhe Financat, Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit dhe Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë të organizojnë seanca urgjente dëgjimore me përfaqësues të qeverisë dhe shoqërisë civile, për të analizuar se përse qeveria shqiptare nuk ka planifikuar asnjë financim publik për të rinjtë në Shqipëri.

 

 

Mospatja e buxhetit për të rinjtë do të thotë më tepër të rinj të paarsimuar, të rinj që dëshirojnë të emigrojnë, të rinj të varur nga lëndët narkotike dhe rritjen e numrit të krimeve në Shqipëri.

 

Çdo investim për të rinjtë do të përkthehet në më shumë të rinj të punësuar, në një arsimim cilësor dhe gjithëpërfshirës, në më shumë shërbime miqësore komunitare për të rinjtë, si dhe në rritje të numrit të të rinjve të cilët dëshirojnë të punojnë dhe kontribuojnë për zhvillimin e vendit dhe jo të gjejnë mundësinë e parë për tu larguar!