Brenda Cosa Nostra-s amerikane: Si erdhi në pushtet dhe historia e bosave...

Brenda Cosa Nostra-s amerikane: Si erdhi në pushtet dhe historia e bosave që bënë historinë

613
0

“Cosa Nostra” filloi në ditët e para të saj, si diçka ngushtësisht italiane ose më saktë, një gjë siçiliane. Me kalimin e kohës, ajo u transformua në termin “mafia”, një term siçilian, që qysh atëherë është bërë një fjalë krejtësisht e zakonshme.

Ata filluan të shkonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në pjesën e fundit të shekullit XIX, rreth vitit 1880, ose pak më vonë. Fillimisht u vendosën në Nju Orlins dhe më pas u shtrinë në kryeqendrat e SHBA-së.

580px-Mafia_family_structure_tree.en_.svg_

 

Përse u zgjodh SHBA-ja?
Arsyeja e parë ka të bëjë me shpëtimin nga gjendja e vështirë ekonomike në Itali, por gjithashtu për t‘iu larguar shtypjes që po ushtrohej ndaj tyre nga qeveria sunduese në Romë.

Siçilia është një prej territoreve më të pushtuara në faqe të tokës. Për pasojë, ajo është një kazan i përzier ndikimesh kulturore. Prej një kohe të gjatë, Siçilia shikohej si fëmijë i adoptuar, kokëshkretë i Italisë, sidomos një gjë e tillë është theksuar me ardhjen e Musolinit në pushtet. Preokupimi ishte që të mbahej mafia siçiliane nën kontroll, kështu që shumë njerëz thanë: “Nuk qëndrojmë dot më këtu!”

Bandat e hershme në Amerikë
Banda fillestare “Black Hand” është ajo çka u bë më pas e njohur si “La Cosa Nostra”. Ata shkuan të banojnë me shumicë në lagjet italiane etnike të Nju Jorkut. Një tjetër bandë ishte ajo që njihej si “Five Points”. Kjo bandë funksionoi në territorin e Italisë së Vogël Nju Jork. Kjo është një pikë, ku pesë rrugë kryqëzohen së bashku.

Në fundin e viteve njëzet dhe fillimin e viteve tridhjetë, pati një konkurrencë serioze në Nju Jork midis bandave rivale italiane për kontroll territoresh.

Në termat e njerëzve me ndikim, një prej atyre me influencën më të madhe në atë kohë ishte Lucky Luciano.

Ai ishte një organizator mjeshtër. Lucky Luciano krijoi “La Cosa Nostra” në këtë vend ashtu siç e njohim sot, me pesë familje dhe komisionin sundues.

Ai formoi aleanca me sipërmarrje të tjera, të tilla si mafia hebre. Ishte mik shumë i ngushtë me Meyer Lansky, gangsterin e shquar hebre në Nju Jork gjatë asaj kohe. Lucky Luciano në thelb arriti të fitojë titullin “Kreu i të gjithë krerëve”. Nuk kishte asnjë individ të vetëm që të drejtonte të gjithë skenën.

Si erdhën në pushtet ata?
Ndikimet e tyre mbretëronin në lagjet me përkatësi etnike. Me kalimin e kohës, ata u përhapën në pjesë të tjera, ndërsa pushteti dhe ndikimi i tyre u rrit.

Ata lëvizën nga plaçkitja e vetë komunitetit etnik të tyre në komunitetin në tërësi. Pati disa momente vendimtare në këtë vend që i lehtësuan ata, më i rëndësishmi i të cilëve ishte Prohibicioni. Ishte e gjitha një çështje furnizimi dhe kërkese. Kishte një kërkesë për atë çka ata kishin për të ofruar dhe, për aq kohë sa ajo është në fuqi, ata do të gjejnë një mënyrë për ta kënaqur atë. Amendamenti i 18-të i Shteteve të Bashkuara e nxori jashtë ligjit prodhimin dhe shpërndarjen e alkoolit në Shtetet e Bashkuara, por nuk bëri asgjë për sa i përket kërkesës për alkool.

Njerëzit akoma e donin pijen e tyre dhe, përderisa ajo nuk mund të blihej më legalisht në atë kohë, atëherë pati një mjedis të pasur, një mundësi për këto sipërmarrje kriminale që të përfitojnë nga situata dhe të plotësojnë kërkesën, ashtu si dhe të pasurojnë veten.

Si ka ndryshuar krimi i organizuar?
Me përfundimin e Prohibicionit, sfera e ndikimit kishte lëvizur nga lagjet italiane dhe ishte futur në shoqëri. Megjithatë, sipërmarrjet ekzistojnë për të gjeneruar fitime. Ata u futën te narkotikët, kontrollonin sindikata, politikanë. Ka shumë njerëz që duan diçka dhe këta djem duan ta realizojnë këtë.

Struktura e “La Cosa Nostra” nuk ka ndryshuar qysh nga vitet tridhjetë, kur Lucky Luciano krijoi strukturën.

Ndërsa njerëz të rinj vinin për të drejtuar familjet, ata merrnin emrin e atij individi.

Grupi i Joe Bonanno u bë familja Bonanno; grupi i Carlo Gambino u bë familja Gambino. Vito Genovese i dha emrin e tij familjes që kontrollonte. Emrat kanë ndryshuar, por struktura ka qenë e fortë gjatë 75 viteve të fundit.

Sa e fuqishme është ajo sot?
Në forma të ndryshme, “La Cosa Nostra” ka ekzistuar për më shumë se 100 vjet.

Qeveria, autoritetet, FBI-ja, prokurorët nuk filluan të kenë ndonjë ndikim të konsiderueshëm ndaj “La Cosa Nostra” deri nga fundi i viteve shtatëdhjetë, fillimi i viteve tetëdhjetë. Në një moment të caktuar, “La Cosa Nostra” nuk u mendua se ekzistonte. Ajo ishte një mit, një legjendë. Kjo deri në vitin 1957, me takimin në Appalachian Mountain në veri të Nju Jorkut. Ai ishte një takim i madh, ku krerët e të gjitha familjeve mblidheshin për një seancë përcaktimi strategjie. Ata u zbuluan nga Policia Shtetërore e Nju Jorkut. Është një histori e famshme në historinë e krimit të organizuar. Aty u panë bosë mafiozë që u vërsulën me vrap në pyll për të shpëtuar kokën. Kjo i detyroi njerëzit që të pranonin: “Po, ekziston ‘La Cosa Nostra‘ në këtë vend. Ajo ekziston!”

A folën ndonjëherë mafiozët me FBI-në?

Ishte e rrallë 50 vjet përpara. Në vitin 1963, Joe Valachi, një ushtar i familjes Genovese, po kryente dënimin në një burg federal në shtetin Atlanta, ashtu siç ishte duke e kryer Vito Genovese. I erdhi në vesh Joe se Vito Genovese e donte të vdekur.

Kështu, Joe shikon një të burgosur që t‘i afrohet atij një ditë në burg. Duke menduar se ishte njeriu Vito që po vinte për ta hequr qafe, ai merr një copë tub dhe e godet derisa e lë të vdekur. Tani ai vihej përpara dënimit me vdekje dhe kështu që vendos të flasë. Ai është një bashkëpunëtor vërtet i rëndësishëm që është paraqitur. Përveç tij, ishte gjë e rrallë ta bëje një njeri të flisje. Te “La Cosa Nostra” kishte anëtarë dhe bashkëpunëtorë.

Për të qenë me të drejta të plota, ata duhej të ishin italianë, siçilianë dhe meshkuj. Bashkëpunëtorët qenë kushdo që mund të gjeneronte para për sipërmarrjen. Në të vërtetë këta njerëz nuk kishin folur kurrë më parë, deri në fundin e viteve shtatëdhjetë, apo fillimin e viteve tetëdhjetë, kur filluan të shfaqeshin çështjet e mëdha, si çështja e komisionit, çështja Donnie Brasco.

Infiltrimi në familjen Bonanno nga Joe Pistone, një agjent i fshehtë i FBI-së, ishte penetrimi i parë i bërë ndonjëherë në një familje të krimit të organizuar nga ana e Byrosë. Ai u bë i njohur si Donnie Brasco. Kjo dha inkursione që nuk kishin qenë më parë. Të gjitha këto gjëra ndodhën në të njëjtën periudhë kohe. Këta njerëz po shikonin se i prisnin periudha të gjata në burg dhe filluan të mendojnë të kapin çfarë mund të kapin.

Si u bë i famshëm Al Capone?

Al Capone ishte nga Nju Jorku. Ai u transferua në Çikago për të punuar nën urdhrat e gangsterit kryesor të asaj kohe të atjeshëm, Johnny Torrio. Capone ishte njeri muskuloz, ishte një njeri që vepronte në Nju Jork. Kur Torrio u vra, kjo krijoi momentin e mundësisë së Al Capone-s. Ai nuk ishte ndryshe nga John Gotti, në kuptimin që ishte një njeri mondan. Gjithashtu ishte me shumë vese dhe shumë i dhunshëm. Kjo ishte, siç e thotë proverbi, rruga ose autostrada e tij. Mustache Petes, gangsterë të fillimeve, mbanin profile të ulëta. Ata nuk bënin asgjë që do të tërhiqte vëmendjen ndaj tyre. Ashtu si Gotti, Capone e pëlqente fleshin e aparateve fotografikë.

Më të spikaturit

Carlo Gambino, kreu i familjes Gambino. Ai qe ndryshe në atë se vdiq në shtëpi, në krevat, thjesht pushoi së marruri frymë një ditë. Ai u pasua nga dhëndëri i tij, Paul Castellano, i cili u ndihmua shumë në këtë drejtim nga John Gotti, i cili mori drejtimin e familjes Gambino. Kontrasti midis Gambino dhe Gotti qe i madh. Gambino bënte një ekzistencë të padeshifrueshme, nuk kishte asnjë vilë të madhe, nuk e tërhiqte vëmendjen ndaj vetes duke u sjellë nëpër qytet me femra. Në anën tjetër të spektrit ishte John Gotti, i cili filloi ti besonte gjërave që thoshte vetë. Megjithatë, nëqoftëse do të më duhej të zgjidhja një person që të ishte figura më influente e La Cosa Nostra në këtë vend, ai do të ishte Lucky Luciano.

10 bosët më të mëdhenj të historisë së mafias në SHBA

10 – Vincent “the chin” gjiganti
I lindur në Nju-Jork në vitin 1928, Vincent Gjiganti ishte një karakter shumë i veçantë. Ai e braktisi shkollën në klasë të nëntë dhe filloi të merrej me boks. Fitoi 21 nga 25 ndeshje që zhvilloi për peshat e lehta. Kur u bë 17 vjeç, filloi veprimtarinë kriminale, që të mund të nxirrte shpenzimet e jetesës. Përfundimi ishte shtatë arrestime që para se të mbushte 25 vjeç. Vepra e tij e parë domethënëse si gangster, pjesëtar i familjes Genovese, ishte atentati për të vrarë Frenk Costellon, por plumbi i Gjigantit nuk e shtriu dot përdhe objektivin. Por, pavarësisht kësaj, ai i ngjiti me shpejtësi shkallët e hierarkisë në familjen Genovese, duke u bërë kapo e më pas “konsigliere” i familjes, rreth viteve “80. Më vonë, pas dështimit të bosit të familjes, Toni Salerno, Gjiganti u bë njeriu më i rëndësishëm. Por ajo që e bën të veçantë, është se mashtroi gjithë sistemin gjyqësor të Amerikës dhe evitoi burgun duke bërë si i çmendur në sallën e gjyqit. Më pas, vendosi ta vazhdonte lojën e tij. Ai sillej vazhdimisht si i çmendur, madje dilte rrugëve veshur me rrobëdeshambër. Por më në fund, në vitin 2003, e pranoi para trupit gjykues se nuk ishte një i çmendur dhe u burgos. Vdiq në burg në vitin 2005, për shkak të problemeve me zemrën.

9 – Albert Anastasia
Lindur në Tropea, Itali, në vitin 1903. Ishte ende një adoleshent kur emigroi në Amerikë. U përzje në disa veprime kriminale në operacionin e portit të Bruklinit, dhe u dërgua në burgun Sing Sing, ku qëndroi 18 muaj për vrasjen e një punonjësi të portit, por vdekja misterioze e të gjithë dëshmitarëve solli lirimin e tij të shpejtë. Ai mori një reputacion shumë të madh si vrasës me pagesë, çka solli rekrutimin e tij nga organizata mafioze e Joe Maserias. Anastasia ishte gjithashtu shumë besnik kundrejt Laki Luçianos, i cili kishte plane për të sunduar gjithë botën kriminale të USA. Më pas, pa asnjë problem, Anastasia e tradhtoi Maserian dhe ishte një nga ata që Laki Luçiano dërgoi për ta vrarë. Me kalimin e kohës, në vitin 1944, Anastasia u bë kryetrim i grupit të eliminimeve. Por e çuditshmja është që nuk u dënua kurrë për vrasje. Grupi që ai drejtonte kishte kryer nga 400 deri në 700 vrasje. Në vitet 50 Anastasia u bë kryetari i familjes Luçiano, por Carlo Gambino e donte atë pozicion. Shumë besojnë se Gambino e vrau Anastasian tek një berber në vitin 1957.

8-Joseph Bonanno

I lindur në vitin 1905, Bonanno u rrit në Sicili, në vendlindjen e tij dhe ngeli jetim kur ishte 15 vjeç. Ai u largua nga Italia në kohën e fuqizimit të Musolinit dhe bëri një qëndresë të vogël në Kubë, para se të arrinte në USA, në moshën 19-vjeçare. Ai u bashkua me mafian si mënyrë për të luftuar Musolinin. Pseudonimi i tij ishte Joey Bananas. Ai u bashkua me Salvatore Maranzano. Përpara se Luçiano ta vriste atë, Maranziano krijoi Komisionin, një trupë që drejtonte mafian e gjithë USA. Bonanno u bë kryetari i njërës prej familjeve mafioze. Ai e zgjeroi biznesin e tij të ligjshëm me shumë baxho djathi, punishte veshmbathjesh dhe sipërmarrje funerale. Kjo e fundit ishte mënyra perfekte për të zhdukur kufomat e armiqve. Por planet për të zhdukur familjet e tjera rivale u kthyen kundër tij dhe Bonanno u mor peng për 19 ditë derisa ra dakord që të dilte në pension dhe të hiqte dorë nga mafia.

7-Dutch Schultz
Arthur Flegenheimer, më vonë i njohur si Dutch Schultz, lindi në Bronks në vitin 1902. si adoleshent, ai bënte çudira kriminale për të impresionuar bosin dhe njëkohësisht mentorin e tij Marcel Poffo. Në moshën 17-vjeçare, ai bëri pak burg për vjedhje. U lirua dhe vëmendja e tij më e madhe u përqendrua tek pasurimi. Për të arritur objektivin e tij, ai do mund të vriste këdo që i dilte para, pa pikën e hezitimit dhe të mëshirës. Kjo e mbante gjatë gjithë kohës në “treg” dhe ishte gjithmonë një mafioz shumë kompetitiv. Ai luajti një rol të madh në formimin e Sindikatës, por Luçiano dhe Kapone u bënë armiqtë e tij. Në vitin 1933 shteti donte ta burgoste, kështu që ai u fsheh ca kohë në Nju-Xhersi, por territori i tij në Nju-Jork mbeti i pambrojtur dhe Laki Luçiano përfitoi nga ky rast. Schultz u kthye në 1935 për të marrë hak, por grupi vrasës i Albert Anastasias e vrau para se të mund të bënte ndonjë dëm.

6- John Gotti

Në historinë e mafiozëve që sunduan Nju Jorkun, John Gotti vjen pas Lucky Lucianos dhe Al Capones. Ai u lind në Bruklin në vitin 1940 dhe që i vogël e kishte ëndërr që të bëhej gangster. Në moshën 16-vjeçare ai u bashkua me një grup kriminal që quhej Fulton-Rockaëay Boys. Shumë shpejt ai u bë kryetari i tyre, duke vjedhur makina e duke i shitur ato.

Në vitet “60 ai filloi bashkëpunimin e tij me mafian. Në fillim të viteve “70 u bë kryetari i një familjeje të vogël, e cila ishte nën sundimin e Gambinove. Ai ishte ekstremisht ambicioz kështu që filloi merrej me shitjen e drogës, gjë që ishte e ndaluar nga rregullat e familjes. Në këtë mënyrë, Paul Castellano, kryetari i familjes, urdhëroi vrasjen e Gottit. Por Gotti ishte më i shkathët dhe e vrau Castellanon jashtë një restoranti, në vitin 1985. Gotti u bë kryetari i familjes Gambino. Nuk ka rëndësi sa herë shteti u përpoq ta dënonte dhe ta demaskonte si kriminel dhe si kryetari i familjes më të madhe mafioze në vend, akuzat gjithnjë rrëzoheshin për mungesë provash. Por më në fund u dënua për vrasje më 1992 dhe vdiq në burg më 2002 nga kanceri.

5-Meyer Lansky

Lindi në Rusi në vitin 1902. Prindërit e tij ishin hebrenj. Në moshën 9-vjeçare u transferua në Nju-Jork. Ai u njoh me Luçianon kur ishin akoma shokë shkolle.

Luçiano i vinte gjoba dhe Lansky nuk paguante, kështu që ziheshin me grushte. Luçiano u impresionua nga kurajoja dhe qëndresa e Lanskit, kështu që u bënë shokë përjetë. Lansky njohu edhe Bugsy Siegel kur ishte adoleshent dhe të tre formuan një partneritet shumë të fuqishëm. Primare për Lanskin ishin paratë e mbledhura nga bastet. Ai kishte biznese në Kubë, në Nju-Orleans, në Florida etj. Ai atje themeloi edhe një bankë në Zvicër, e cila shfrytëzohej nga të gjithë për pastrim parash.

I lindur si një gjeni i financave, ai ideoi dhe bashkëthemeloi Sindikatën Kombëtare të Krimit të Organizuar si dhe Komisionin. Por “është biznes dhe jo personale” funksionoi shumë mirë për Lanskin. Ai miratoi vrasjen e shokut të tij të ngushtë, Siegel, pasi Siegel nuk ishte i aftë të sillte përfitime për Sindikatën. Edhe pse kishte kompani të jashtëligjshme bastesh në gjithë botën, Lanski nuk bëri kurrë asnjë ditë burg.

4-Frank Costello

Francesco Castiglia u lind në vitin 1891 në Itali dhe shkoi në USA bashkë me familjen e tij kur ishte 4 vjeç. Ai e ndërroi emrin në Frank Costello kur u bashkua me një bandë rrugësh në moshën 13-vjeçare. Pas një numri shumë të madh krimesh, ai u burgos. Në burg u njoh me Laki Luçianon, bashkë më vonë do të themelonin krimin e organizuar dhe do të akordonin qindra marrëveshje për bastet e të tjera. Pika e fortë e Costellos ishte pozicioni i tij si nyjë lidhëse midis Mafies dhe Partisë Demokrate Amerikane.

Kjo i mundësonte atij dhe shumë mafiozëve të tjerë që të korruptonin, të ngarkonin e madje të shkarkonin politikanë nga funksionet e tyre shtetërore sipas interesave të mafies.

Pas arrestimit të Luçianos, Costello u bë kryetari i familjes dhe konsolidoi dhe shtoi më tej aksionet dhe përfitimet e familjes. Por midis tij dhe Vito Genoveses, i cili ishte nënkryetar i familjes, shpërtheu një mosmarrëveshje e madhe në vitet “50. Më pas erdhi atentati nga ana e Vincent Gjigantit, i cili, edhe pse dështoi, solli daljen në pension të Costellos, i cili vdiq në paqe në vitin 1973.

3-Carlo Gambino
Carlo Gambino rridhte nga një familje, e cila kishte qenë në mafien italiane për shekuj me radhë. Ai filloi të bënte vrasje me pagesë që adoleshent dhe, po adoleshent, u bë kryetar bande. Por kur Musolini filloi të fuqizohej, Gambino emigroi në USA, atje ku jetonte kushëriri i tij, Frank Costello. Ai u bë “i forti” i shumë familjeve mafioze, derisa në fund u bashkua me Laki Luçianon. Pas ekstradimit të Laki Luçianos në vitet “40, Alberto Anastasia mori pushtetin në dorë, por Gambinio mendoi se ishte moment i tij për të shkëlqyer, kështu që e vrau Anastasian në vitin 1957. Ai u vetemërua Boss dhe sundoi me dorë të hekurt gjithë Nju-Jorkun, derisa vdiq nga shkaqe natyrale në vitin 1976.

2 – Laki Luçiano

Salvatore Lucania lindi në Sicili në vitin 1987, por, familja e tij u transferua në Nju-Jork 9 vjet më vonë. Që në moshë të re ai u bashkua me Five Points Gang, një bandë në të cilën u “edukua”edhe Al Kapone. 5 vjet më vonë, Luçiano themeloi një perandori mafioze, të ardhurat e së cilës bazoheshin tek prostitucioni dhe bastet. Ai mori në dorë kontrollin e gjithë Manhatanit. Por, pas një atentati të dështuar kundër tij, në vitin 1929, Luçiano nisi planet për themelimin e Sindikatës Kombëtare të Krimit të Organizuar, si një shtojcë e Komisionit të Salvatore Maranzanos. Ai u bashkua me Meyer Lansky.

Të dy bashkë eliminuan çdo kundërshtar dhe në vitin 1935 Laki Luçiano njihej si Boss i Bosëve, jo vetëm në Nju-Jork, por në gjithë USA. Ai u arrestua dhe u dënua me 30-50 vjet burgim, por më pas u ekstradua në Itali në vitin 1936.

Ai ishte aq i fuqishëm sa që inteligjenca e ushtrisë amerikane, kur hyri ushtria amerikane në Itali, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kërkoi ndihmën e tij. Ai vdiq nga një infarkt në vitin 1962.

1-Al Kapone

Në qoftë se ka ekzistuar ndonjëherë ndonjë mafioz aq i fuqishëm e brilant sa të meritonte të ishte në krye të kësaj liste, ai është Al Kapone. Emir i tij i vërtetë është Alphons Capone, dhe lindi në Brooklyn në vitin 1899. Prindërit e tij ishin emigrantë italianë. Ai e nisi veprimtarinë e tij me bandat e vogla të rrugëve në Nju-Jork.

Më pas, u bashkua me Five Points Gang dhe u bë një “ekzekutues”. Gjatë këtyre kohëve ai mori edhe nofkën “Scarface” për shkak të disa plagëve që mori gjatë një ekzekutimi. Kapone u transferua në Çikago në vitin 1919 dhe shumë shpejt ngjiti shkallët e hierarkisë mafioze të Çikagos, duke punuar për Johnny Torrio. Më pas Kapone u bë mbrojtësi i Torrios. Ishin kohëra trazirash e depresionesh, kështu që pa asnjë problem Kapone zhvilloi prostitucionin, bastet dhe kontrabandën e alkoolit. Në vitin 1925, Torrio u plagos në një përleshje midis familjeve mafioze dhe Kapone, atëherë vetëm 25 vjeç, u bë kryetar i familjes. I njohur për inteligjencën e tij të jashtëzakonshme, për dëshirën për të qenë i famshëm, ai njihej gjithashtu edhe si një person jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe ekstremisht i dhunshëm. Orkestrimi i masakrës së Shën Valentinit në vitin 1929, në të cilin u vranë qindra mafiozë rivalë, e vërteton këtë tipar të tijin. Por, çuditërisht, në vitin 1939, agjenti federal i thesarit Eliot Ness, e arrestoi për evazion fiskal./Tirana Observer/