Analize/ 10 vjet shtet, dekada e premtimeve të Hashim Thaçit!

Analize/ 10 vjet shtet, dekada e premtimeve të Hashim Thaçit!

1349
0

Ditën e shtunë, Kosova feston dhjetëvjetorin e Pavarësisë. Por, ky dhjetëvjeçar po konsiderohet si dekada e premtimeve megalomane të Hashim Thaçit. Kjo, për faktin se gjatë kësaj periudhe kohore, ai premtoi liberalizimin e vizave, formimin e ushtrisë së Kosovës, integrimin e komunave veriore brenda institucioneve dhe ligjeve të Kosovës për të cilën nënshkroi edhe disa marrëveshje, të cilat u konsideruan të dëmshme me Serbinë, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, etj. Por, edhe pas dhjetë viteve, asnjëra nga këto premtime nuk është realizuar. Analistët politik thonë se zotimet e të parit të vendit kanë qenë vetëm për të përfituar vota nga qytetarët për tu bërë kryeministër. Madje, ata thonë se fajtori kryesorë, për situatën në të cilën gjendet vendi është vet Presidenti, për shkak të keqqeverisjes së tij gjatë dy mandatave që ishte në krye të ekzekutivit. Gazeta ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të Presidencës për të marrë një përgjigje lidhur me kritikat e analistëve, por askush nuk është përgjigjur. Premtimi i rrejshëm për liberalizimin e vizave “Brenda 13 muajve do të udhëtoni në të gjitha vendet e Evropës pa pasur nevojë për viza”, kështu pati premtuar qytetarët Hashim Thaçi me 29 dhjetor të vitit 2010, kur po garonte për tu bërë kryeministër për herë të dytë. Ky është njëri ndër premtimet që nuk u realizua gjatë dy mandateve të qeverisjes së tij, për të cilën zyrtarët e BE-së në vizitat e tyre në Kosovë deklaronin se liberalizmi i vizave varet nga përmbushja e kushteve nga ana ekzekutivit. Pavarësisht mos përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Brukseli, ai vazhdonte me premtimet e tij për këtë çështje. “Viti 2012 është vit i procesit të liberalizimit të vizave. Në vitin 2011, institucionet qendrore dhe lokale, kanë shënuar progres të konsiderueshëm në fushën e riintegrimit të personave të riatdhesuar. Kjo është konfirmuar edhe në Raportin e Progresit 2011 për Kosovën, dhe Strategjinë e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”, kishte thënë ai në nëntor  të vitit 2011, në takimin e nëntë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian. Pasi që liberalizmi i vizave nuk ndodhi gjatë 2012-së, ai nuk hezitoi që 2013-tën ta shpall si vit të liberalizmit të vizave. “Është shënuar progres në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Jemi dëshmitarë të një progresi të konsiderueshëm, si në fushën e riatdhesimit sigurisë së dokumenteve, menaxhimit të kufijve, luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit si dhe zbatimit të kritereve që ndërlidhen me të drejtat e komuniteteve”, kishte shtuar Thaçi. Kurse, në vitin 2014 Thaçi kishte kritikuar Brukselin se po bënte padrejtësi ndaj Kosovës, pasi që sipas tij vendi i kishte plotësuar të gjitha kriteret për viza. Premtime të tilla, ai vazhdoi edhe gjatë 2015-së dhe viteve pasuese, por tash jemi në vitin 2018, por qytetarët e Kosovës ende nuk mund të lëvizin pa viza drejt vendeve të BE-së. Për mos përmbushjen e këtij zotimi të Thaçit, publicisti Rexhep Shahu, ia atribuon atij. “Dështimet e Thaçit vijnë për arsye se ai nuk ka llogaritur kurrë asgjë tjetër veçse si e si të qëndroje në pushtet, nuk ka llogaritur prosperitetin e Kosovës, pavarësimin real të saj prej Serbisë, por ka patur objektiv parësor si e si të rrijë në pushtet sa më gjatë, sipas idesë partizane se unë jam çlirimtari e unë duhet të jem pushtetari. Liberalizimi i vizave nuk arrihet nga qeveri partizanesh, as nga qeveri që është gjysmë peng nga mungesa e numrave në parlament”, ka thënë Shahu për “Bota sot”.

 

Formimi i ushtrisë dështimi tjetër i Hashim Thaçit

 

Pas dështimit të vizave, është edhe premtimi i tij i dytë për formimin e ushtrisë së Kosovës nga ana e Hashim Thaçit. Në gjashtë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ai pati premtuar se formimi i këtij institucioni do të bëhet brenda një viti. “Është parada e fundit ku ne e shohim parakalimin e FSK-së, me këtë emër, dhe se na ndan një kohë e shkurtër nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës”, pati thënë ai në paradën e FSK në sheshin e Prishtinës, me 17 shkurt të 2014-së. Kurse, një muaj me pas, Qeveria e udhëhequr nga Hashim Thaçi miratoi Strategjinë për Shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Kjo strategji u miratua pak para shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme të këtij viti. Por, projektligji për formimin e ushtrisë së miratuar me turr e vrap nga Qeveria Thaçi po vazhdon të mbet peng nga Lista Serbe.

 

Premtimi për integrimin e shpejt të Veriut

 

Pas vizave dhe ushtrisë, Hashim Thaçi premtoi edhe integrimin e katër komunave serbe në veri të vendit brenda institucioneve dhe ligjeve të Kosovës. Por, për ta bërë këtë integrim, qeveria e tij filloi negociata me Serbinë. Në fillim, këto negociata u quajtën kinse teknike edhe pse gjatë kësaj kohë, u nënshkrua Marrëveshja për Fusnotën, ajo për menaxhimin e kufijve dhe një varg marrëveshje të tjera.Më pas, këto bisedime çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes pë r normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në vitin 2013. Ndonëse, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje u kritikua shumë nga ana e opozitës dhe një pjese e shoqërisë civile, Thaçi këto i arsyetonte me integrimin e veriut brenda institucioneve të Republikës së Kosovës. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, ka rezultuar disi pozitivisht për shkak se kontrollimi i këtij territori bëhet nga policët e Kosovës, që janë kryesisht serb, por me uniformë të Republikës, me mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe qendrore me ligje të Kosovës dhe integrimi i pjesshëm të institucioneve të drejtësisë. Por, pritjet për një integrime të shpejt sikur komunat e tjera të vendit, ende mbetet për tu dëshiruar. Për shkak se vendi kontrollohet nga bandat në veri që përkrahen nga Beogradi, me qëllim që integrimin e kësaj pjesë ta paraqes si të pamundshëm, e në të ardhmen e afërt të kërkoj që kjo pjesë të ndahet përfundimisht nga Kosova. Para një muaji, në Mitrovicën Veriore është vrarë, Oliver Ivanoviq. Për këtë vrasje, politikanë serb lokal kanë akuzuar bandën e Milan Radojiçiq, i cili është një njeri që e kontrollon krimin në veri dhe që ka ndikim brenda Listës Serbe, që haptas e thotë se përfaqëson interesat e Beogradit në Kosovë. Publicisti Rexhep Shahu fajëson Thaçin se ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme për vendin, për faktin se ai nuk ka qenë i prerë me Serbinë. “Qeverisja Thaçi asnjëherë nuk ka pasur negociatorë të fuqishëm, asnjëherë nuk ka patur qartësi, asnjëherë nuk ka qenë e prerë në bisedime me Serbinë dhe është mbyte në gotë uji. Jo rastësisht po zvarritet edhe integrimi i pjesës veriore të Kosovës”, ka thënë Shahu për “Bota sot”.

 

Dështimi i anëtarësimit në UNESCO

 

Anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Hashim Thaçi që mbante pozitën e ministritë të jashtëm e pati marrë si betejë personale, pasi që pas disa muajve, ai do të zgjidhej si president i vendit. Kur Këshilli Ekzekutiv i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, vendosi që anëtarësia e saj të diskutohet në Konferencën e Përgjithshme të kësaj agjencie që u mbajt në muajin nëntor, ai këtë sukses i atribuonte dikasterit të tij.

 

“Ka qenë një angazhim i diplomacisë dhe shtetit kosovar që të kërkojnë pikë në bordin ekzekutiv që Kosova të Anëtarësohet në UNESCO. Ne kemi dërguar mesazhe shumë të mira, tolerante dhe mirëkuptuese. Trashëgimia kulturore është vlerë e të gjithë neve”, kishte thënë Thaçi.

 

Por, pranimi i Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare dështoi, sepse diplomacia e vendit tonë nuk arriti të siguroi votat e mjaftueshme.

 

Votuan gjithsej 122 shtete dhe 50 prej tyre ishin kundër, ndërsa 92 vota që ishin pro Kosovës nuk ia mundësuan anëtarësimin.

 

Për tu bërë anëtar e kësaj instance, Kosovës i nevojiteshin gjithsej 95 vota pro.